Presidenti rus Vladimir Putin u takua me ish-komandantin e grupit paraushtarak Wagner, Andrey Troshev dhe i kërkoi atij të formonte njësi ushtarake vullnetare për “operacionin special ushtarak” të Moskës në Ukrainë, ka thënë Kremlini të premten.
Takimi, në të cilin mori pjesë edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Yunus-Bek Yevkurov, u zhvillua të enjten në mbrëmje në Kremlin.
Putin i kërkoi Troshevit të formonte njësi vullnetare që mund të kryejnë detyra të ndryshme luftarake në zonën e operacionit.
“Ju vetë keni më shumë se një vit që luftoni në një njësi të tillë, e dini se çfarë është, si bëhet, dini për çështjet që duhet të zgjidhen paraprakisht në mënyrë që puna luftarake të shkojë sa më mirë dhe në mënyrë të suksesshme”, ka thënë ai.
Troshev është një kolonel në pension dhe ish-shefi i shtabit të grupit Wagner. Ai nuk e mbështeti rebelimin e armatosur jetëshkurtër të Evgeny Prigozhinit kundër Moskës në qershor.
Sipas zëdhënësit Dmitry Peskov, Troshev tani punon me Ministrinë e Mbrojtjes ruse.
Pas rebelimit të dështuar, Putini më 29 qershor pati një takim tre-orësh me 35 komandantë të Wagnerit dhe i ftoi ata të vazhdonin të shërbenin në ushtri nën udhëheqjen e Troshevit, por Prigozhin kishte refuzuar.
Më 23 gusht, një aeroplan privat që fluturonte nga Moska në Shën Petersburg u rrëzua në rajonin Tver të Rusisë, duke lënë të vdekur të gjithë në bord duke përfshirë Prigozhinin dhe komandantin ushtarak të Wagner, Dmitry Utkin.