Presidenti rus, Vladimir Putin, ka thënë të martën se Moska është e gatshme për bisedime me SHBA-në dhe NATO-n mbi kufizimet për vendosjen e raketave dhe transparencën ushtarake.
Duke folur pas bisedimeve me kancelarin gjerman Olaf Scholz, Putini ka thënë se SHBA-ja dhe NATO-ja hodhën poshtë kërkesën e Moskës për të mbajtur Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike jashtë NATO-s, për të ndaluar vendosjen e armëve pranë kufijve rusë dhe për të tërhequr forcat e aleancës nga Evropa Lindore.
Ata ranë dakord të diskutonin një sërë masash sigurie që Rusia kishte propozuar më parë.
Putini ka thënë se Rusia është e gatshme të angazhohet në bisedime për kufizimet e vendosjes së raketave me rreze të ndërmjetme në Evropë, transparencën e stërvitjeve dhe masat e tjera të ndërtimit të besimit, por theksoi nevojën që Perëndimi t'i kushtojë vëmendje kërkesave kryesore të Rusisë.
Deklarata pasoi njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes ruse për një tërheqje të pjesshme të trupave pas stërvitjeve ushtarake, duke shtuar shpresat se Kremlini mund të mos planifikojë të pushtojë menjëherë Ukrainën.
Mirëpo kjo ministri ka bërë të ditur se pjesa më e madhe e trupave do të vazhdojnë të mbesin afër Ukrainës, për stërvitje të tjera.