Botë

Putin: Nuk jemi çmendur që t’i përdorim armët bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se rreziku i një lufte bërthamore është në rritje, por ka insistuar se Rusia “nuk është çmendur” dhe se nuk do t’i përdorë armët e saj nukleare menjëherë.

Presidenti rus ka insistuar se shteti i tij nuk do të përdorte armë të shkatërrimit në masë si kundërpërgjigje ndaj një sulmi, raportoi BBC-ja të mërkurën.

Gjatë një fjalimi në takimin e përvitshme të Këshillit të të Drejtave të Njeriut, ai po ashtu ka thënë se lufta në Ukrainë mund të jetë “një proces i tejzgjatur”. Zyrtarët perëndimorë besojnë se Putini kishte planifikuar se do të shënonte fitore të shpejtë në Ukrainë.

Kapaciteti i Rusisë për të përdorur armë bërthamore është vënë nën shqyrtim të vazhdueshëm që kur ka nisur lufta në Ukrainë, më 24 shkurt.

“Nuk jemi çmendur, jemi të vetëdijshëm se çka janë armët bërthamore. Ne nuk do të vrapojmë nëpër botë duke e tundur këtë armë si brisk rroje”, ka thënë Putini.

Ai ka shtuar se Rusia ka armët më moderne dhe më të avancuara nukleare në botë. Putini po ashtu e ka krahasuar strategjinë nukleare të Rusisë me atë të SHBA-së, për të cilën tha se ka shkuar shumë më larg se Rusia duke i vendosur armët e saj bërthamore në territore të tjera.