Kundërshtimi i Rusisë për zgjerimin e aleancës ushtarake perëndimore, NATO, veçanërisht me vendet dikur nën ndikimin rus të Europës Lindore, është tejet i njohur. Por këtë herë, paralajmërimi ka kapur limitet.
Presidenti rus, Vladimir Putin ka shprehur kundërshti të ashpër ndaj idesë së anëtarësimit të Suedisë në NATO, duke e quajtur këtë bashkim potencial si një “kërcënim që duhet eliminuar”. “Nëse Suedia i bashkohet NATO-s, kjo do të prekte padyshim marrëdhëniet tona në aspektin negativ, sepse ne do të konsideronim se infrastruktura e bllokut ushtarak do të na afrohej së tepërmi nga kufiri më veriperëndimor”, tha Putin për agjencinë shtetërore të lajmeve “Itar-Tass”.
“Ne do ta interpretonim atë si një kërcënim të mëtejshëm për Rusinë, e sigurisht që do të mendonim sesi ta eliminonim këtë kërcënim”. Zyrtarët rusë e kanë trajtuar vazhdimisht zgjerimin e NATO-s pranë, apo edhe në kufi me ta, si cënim, më shumë sesa një dëshirë e fqinjëve të saj të vegjël për të zmbrapsur një inkursion të mundshëm ushtarak rus, siç ndodhi me Ukrainën në vitin 2014 kur këtij vendi iu aneksua gadishulli i Krimesë.
Së fundi, vetëm Mali i Zi ishte në listën e vendeve që do të futeshin në NATO, ndërsa Suedia dhe fqinji tjetër i saj, Finlanda, duket se preferojnë të jenë asnjanëse. Deri më tani, tri shtetet baltike si Letonia, Estonia dhe Lituania janë bërë pjesë e aleancës ushtarake perëndimore, përfshi edhe Poloninë, që të gjitha këto shtete që ndajnë kufinj të përbashkët me Rusinë (Polonia dhe Lituania me Kaliningradin). Vitin e kaluar, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha në Stokholm se Rusia do të ndërmerrte një kundërpërgjigje ushtarake në rastin potencial të hyrjes së Suedisë në NATO, por të enjten, Putin e zgjeroi edhe më tej këtë kundërpërgjigje.
“Kjo nuk do të thotë se ne do të bëhemi histerikë dhe do të drejtonim raketat tona bërthamore drejt Suedisë, - tha Putin. - Por, ne do të ishim të detyruar të vepronim, sepse do ta konsideronim një gjë të tillë si një kërcënim shtesë ndaj Rusisë”. Udhëheqësi i Kremlinit tha se “vetëm një person i çmendur” do të mund të imagjinonte Rusinë të sulmonte Suedinë, por theksoi se anëtarësimi i saj në NATO nuk do të shtonte hiçgjë në rrugën e rritjes së kapaciteteve mbrojtëse të Suedisë.
Edhe
Putini akuzon Perëndimin se po përgatitet haptas për luftë me Rusinë
Në dhjetor, ambasadori rus në Suedi, Victor Tatarintsev tha për rrjetin televiziv publik, “SVT”, se Moska “nuk kishte asnjë plan të pushtonte Suedinë”. Suedia e Finlanda kanë ruajtur marrëdhënie partneriteti me NATO-n deri më tani, por asnjëra nuk ka kërkuar anëtarësim në aleancë, edhe pse spekulimet janë shtuar së tepërmi për bashkimin e tyre, që pas aneksimit të Krimesë nga Rusia.
Një raport i hartuar nga qeveria suedeze diktonte avantazhet e anëtarësimit në NATO gjatë shtatorit, duke parë se përballë kishin një politikë të jashtme gjithnjë e më të militarizuar të Rusisë, por Stokholmi gjithsesi refuzoi sugjerimet se do të kërkonte të anëtarësohej. “Politika jonë e paanshmërisë na shërben edhe neve”, tha ministri i Jashtëm, Margot Ëallstroem, pasi mori raportin. “Bashkimi ynë me aleancën e ekspozon Suedinë me shumë risqe, politike dhe me natyrë tjetër, ndaj dhe nuk mendojmë se ai është drejtimi i duhur”.