Familjarët e pilotëve praktikantë të dënuar me burgim të përjetshëm kanë thyer heshtjen në mbrojtje të pafajësisë së tyre. Pilotët janë mes më shumë se 600 praktikantëve dhe të rekrutuarve të persekutuar
Lumturia e tyre shndrit në fotografi: 14 të porsadiplomuar nga Akademia turke e Forcave Ajrore e festojnë përfundimin e programit trajnues në fluturim me shkrepjen e një fotografie të përbashkët përpara një aeroplani luftarak.
Brenda pak muajsh, të gjithë ata, pos njërit, do të përfundonin prapa grilave, të akuzuar për pjesëmarrje në tentim-puçin e 2016-s që i përgjaku rrugët dhe e zhyti vendin në trazira, prej të cilave ende nuk ka mundur që të dalë.
Nëntorin e shkuar, 13 prej tyre – njëri nuk ishte në bazë, pasi që po martohej – janë shpallur fajtorë për përpjekjen e rrëzimit të rendit kushtetues dhe janë dënuar me burgim të përjetshëm, në atë që ua ka rrënuar karrierat ushtarake dhe ëndrrat për të drejtuar aeroplanët F-16.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka prishur tentimin për puç dhe ka ndërmarrë shtypje të ashpër pas kësaj, duke e zbatuar gjendjen e jashtëzakonshme për dy vjet, duke arrestuar 100.000 persona dhe duke i shkarkuar 150.000 nëpunës publikë nga vendet e tyre të punës. Më shumë se 8.000 pjesëtarë të personelit ushtarak janë persekutuar për pjesëmarrje në kryengritje, përfshirë më shumë se 600 praktikantë, kadetë dhe rekrutë - shumica në të 20-at e tyre – faji i vetëm i të cilëve ishte se u ishin dhënë urdhra atë natë. Natën midis 16 dhe 17 korrikut të 2016-s.
Thyerja e heshtjes
Fati i tyre kryesisht është neglizhuar në Turqi, ku retorika qeveritare kundër kryerësve të puçit është e ashpër dhe familjarët e avokatët e të pandehurve janë frikësuar që të flasin në publik. Por kur, sipas një shkrimi të gjatë për rastet në të përditshmen amerikane “The New York Times”, 13 praktikantët u dënuan me burgim të përjetshëm, disa prej familjarëve kanë vendosur të thyejnë heshtjen.
“Nuk po prisnim që të shfajësoheshin, thënë sinqerisht, por po prisnim që të paktën të liroheshin”, ka thënë Kezban Kalin, i biri i së cilës, Alperi 30 vjeç, ishte në mesin e të dënuarve. “Ama dënimi me burgim të përjetshëm, pa të drejtë ankese?”.
Sipas NYT, pilotët praktikantë dhe familjarët e tyre në fillim kishin besim në sistem, pjesërisht ngase historia e Turqisë ka qenë e mbushur me raste të puçeve dhe për shkak se ushtarët e rangjeve më të ulëta nuk ishin mbajtur përgjegjës në këtë mënyrë.
“Kur bëhet fjalë për një puç, flitet për nivel gjeneralësh”, ka thënë Ali Kalin, babai i Alperit, i cili është edhe vetë një kolonel i pensionuar. “Dua ta nënvizoj krejt këtë padrejtësi. Çfarë kanë bërë ata?”, ka thënë ai, duke iu referuar praktikantëve teksa ka folur për “The New York Times”.
Në verën e 2016-s, grupi porsa kishte arritur në Bazën Ajrore të Turqisë, “Akinci”, në periferi të kryeqytetit Ankara për ta nisur trajnimin me aeroplanët luftarakë F-16. Më 15 korrik, ata ishin thirrur në bazë për t’iu nënshtruar testit të anglishtes dhe më pas u është thënë që të jenë në gjendje gatishmërie për ta vëzhguar një operacion kundër terrorizmit. Por, baza ajrore “Akinci”, sipas “NYT”, doli të ishte epiqendër e planifikuesve të puçit, një grup ky i personelit ushtarak dhe civil që atë natë urdhëroi ushtarët që ta merrnin kontrollin mbi instalacionet kryesore, që aeroplanët të bombardonin Parlamentin dhe që një njësit komando ta kapte Erdoganin.

Presidenti e shmangu kapjen dhe në një intervistë nëpërmjet telefonit celular me një stacion televiziv, ai u bëri thirrje qytetarëve që të ballafaqoheshin me puçistët. Deri në mëngjes, trupat besnike të Qeverisë e kishin rikthyer kontrollin dhe kishin sulmuar bazën ajrore “Akinci”, duke i arrestuar shumicën e të përfshirëve. Pilotët praktikantë kryesisht nuk ishin të vetëdijshëm se çfarë po ndodhte, kështu të paktën thuhet në deklaratat e tyre dhënë për hetuesit dhe në gjykatë, të cilat e sfidonin versionin e Qeverisë, por që nuk mund të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Telefonat e tyre celularë janë konfiskuar – gjë kjo që ishte normale gjatë një operacioni ushtarak – dhe televizioni ishte larguar nga holi ku ata e kalonin pjesën më të madhe të natës, kanë thënë ata, raporton “NYT”. Disa prej tyre pinë çaj, e të tjerët bënë roje në hyrje të ndërtesës, përderisa tre të tjerë ishin dërguar në portën kryesore dhe ishin pajisur me pushkë, ani pse gjykata ka zbuluar se ata nuk i kishin përdorur ato.
“Kur baza u sulmua nga trupat e forcave speciale, praktikantët u urdhëruan që të largoheshin, gjë kjo të cilën shumica e bënë deri në orën 8 të mëngjesit, duke ngarë veturat e tyre”, ka shkruar gazeta amerikane.
Alper Kalin kishte mbërritur në shtëpi i frikësuar dhe i dërrmuar, por prindërit e kishin ngushëlluar.
“Nuk mendova se ndonjë gjë mund t’u ndodhte këtyre praktikantëve”, ka thënë Ali Kalin. “Ata nuk përdorën armë. Nuk ishin të përfshirë në ndonjë gjë – baza ‘Akinci’ ishte vetëm vendi i detyrës së tyre”.
Njëmbëdhjetë ditë më vonë, grupi u thirr sërish në bazë për të dëshmuar rreth ngjarjeve dhe menjëherë është arrestuar. Brenda orësh, emrat e tyre janë shfaqur në listën e personelit të larguar nga ushtria. Kjo ishte sikurse një bombë rënë mbi kokat e praktikantëve dhe familjarëve të tyre që ende janë në kërkim të drejtësisë.
“Kam shkuar në seancat dëgjimore”, ka thënë Sumeyra Soylu (25), vëllai i së cilës, Ali, ishte njëri prej 13 të arrestuarve. “Aty ishte një grup njerëzish, i njohur si paditës, të cilët po mallkonin dhe po fyenin të afërmit e të pandehurve, dhe ai (vëllai) nuk dëshironte që t’i dëgjonim”.
Mandej pasuan katër vjet e gjysmë procedura ligjore, teksa prokurorët kanë paditur më shumë se 500 të pandehur në gjykimin për bazën “Akinci”. Në një gjykatore të madhësisë së një salle sportive në Sincan, në periferi të Ankarasë, 80 pilotë praktikantë u nxorën para drejtësisë bashkë me eprorët e tyre komandantë dhe civilët e akuzuar për udhëheqjen e puçit. Imami i vendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Fethullah Gulen, ishte paditur në mungesë si orkestruesi i ngjarjes.
Shtypja e ashpër
Presidenti Erdogan ishte listuar si njëri prej viktimave të ngjarjes dhe ishte përfaqësuar gjatë gjithë gjykimit nga avokati i tij, Huseyin Aydin, i cili shpesh është përplasur me të pandehurit dhe avokatët e tyre.
“Caku i krimit të shkeljes së Kushtetutës, për të cilin shumë prej të pandehurve, përfshirë lejtënantët praktikantë, janë ngarkuar ishte presidenti Erdogan”, ka thënë Aydin, në një përgjigje të shkruar për “New York Times”.
Praktikantët janë akuzuar për pjesëmarrje në një organizatë terroriste, për tentimin e prishjes së rendit kushtetues, vrasje dhe tentim-vrasje, pasi që tetë civilë kanë vdekur në përleshjet në hyrje të bazës. Por, prokuroria nuk ka ofruar dëshmi që i implikonin ata në komplotin e puçit apo në përleshjet pasuese, ka thënë avokati. Duke qenë oficerë praktikantë, ata ende i nënshtrohen arsimimit dhe vetëm mund të marrin urdhra dhe jo të japin, ka thënë ai. Baza “Akinci” ishte vendi i tyre i punës, andaj nuk do të duhej të konsideroheshin fajtorë, thjesht, ngase ishin të pranishëm aty dhe pasi që vetë komandantët e tyre kanë dëshmuar në gjykatë se praktikantët nuk kishin luajtur ndonjë rol në ngjarje, ka shtuar ai. Por, megjithëkëtë, ata në fund të fundit janë dënuar bashkë me të gjithë të pranishmit e tjerë në bazë atë natë, për tentim të prishjes së rendit kushtetues.
“Komandanti kryesor ka marrë dënimin e njëjtë. Ushtari i rangut më të ulët ka marrë dënimin e njëjtë”, ka thënë Kalin për NYT. “Si është e mundur kjo?”.
Shumë turq e kanë kundërshtuar puçin. Por, meqë shtypja ka vazhduar për më shumë se katër vjet dhe ka prekur shumëkënd që nuk ka pasur lidhje me ngjarjet, ata kanë shprehur pakënaqësi të thella me gjendjen e gjyqësorit.
Kemal Kiliçdaroglu, lider i partisë më të madhe opozitare në Turqi, ka mbështetur Erdoganin karshi planifikuesve të puçit, por që atëherë ai e ka akuzuar atë për orkestrimin e një puçi civil kur u është vënë pas me qindra e mijëra rivalëve politikë, akademikëve, avokatëve dhe gazetarëve që nuk kishin fare të bënin me grusht-shtetin.
Shtypja mes forcave të armatosura ishte sistematike, mbërthente njësi të tëra dhe bastisje rutinore.
Vetëm dy pilotë të orëve praktike të 2010-s kanë mbetur në detyrë, nga grupi i 13 syresh, ka thënë një ish-shok klase që ishte në mesin e atyre të persekutuarve.
Kalini, i cili ka shërbyer gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij në xhandarmëri, ka thënë: “Besimi ynë në drejtësi, në gjykata, në gjyqësor, në shtet dhe në qeveri ka rënë në zero. Madje nën zero”. Por, tani, përndjekjet dhe persekutimet kanë përfshirë me mijëra njerëz nga ushtria – oficerë dhe kadetë.
“A është OK që t’u nxish jetën kaq shumë njerëz pa e bërë diskriminimin midis të pafajshmëve dhe fajtorëve?”, ka thënë Hatice Ceylan, i biri i së cilës Burak (29 vjeç) është mes 12 praktikantëve të dënuar. “Ata janë veç fëmijë. Ka shumë syresh sikurse i biri im që do të qelben në burgje”.