Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pse ushtria amerikane mbetet në Irak edhe 20 vjet pas pushtimit

Arsyeja e shumëpërfolur për praninë e vazhdueshme të trupave amerikane është ta ndihmojë Irakun t’i luftojë mbetjet e kryengritjes së Shtetit Islamik dhe të parandalojë çdo ringjallje të këtij grupi. Prania e forcave amerikane në Irak e bën më të vështirë për Iranin që të lëvizë armët nëpër Irak dhe Siri për në Liban, për t'u përdorur nga përfaqësuesit e tij, përfshirë Hezbollahun libanez, kundër Izraelit.

Washington (AP) - Njëzet vjet pasi SHBA-ja pushtoi Irakun - në shpërthime verbuese të tronditjes dhe frikës - forcat amerikane mbeten në vend në atë që është bërë një prani e vogël, por e qëndrueshme për të siguruar një marrëdhënie të vazhdueshme me një partner kyç ushtarak dhe diplomatik në Lindjen e Mesme.

Rreth 2.500 trupa amerikane janë të shpërndara në të gjithë vendin, kryesisht në instalimet ushtarake në Baghdad dhe në veri. Dhe ndërsa është shumë larg nga më shumë se 170 mijë forcat amerikane në Irak në kulmin e luftës në vitin 2007, zyrtarët amerikanë thonë se niveli i kufizuar - por i vazhdueshëm - i trupave është kritik si një shfaqje e përkushtimit ndaj rajonit dhe një mbrojtje kundër ndikimit iranian dhe trafikut të armëve.

Si filloi?

SHBA-ja pushtoi Irakun në mars të vitit 2003 në atë që e quajti fushatë masive bombardimesh “tronditjeje dhe frike”, që ndriçoi qiejt, shkatërroi pjesë të mëdha të vendit dhe hapi rrugën që trupat tokësore amerikane të bashkohen në Bagdad. Pushtimi u bazua në ato që doli të ishin pretendime të gabuara se Sadam Husseini kishte fshehur armë të shkatërrimit në masë. Armët e tilla nuk u gjetën kurrë.

Saddami u rrëzua nga pushteti dhe lufta e Amerikës e zhvendosi bazën qeverisëse të vendit nga pakica sunite arabe në shiitët e shumicës, me kurdët që fituan rajonin e tyre autonom. Ndërsa shumë irakianë e mirëpritën rrëzimin e Sadamit, ata u zhgënjyen kur qeveria dështoi të rivendoste shërbimet bazë dhe betejat e vazhdueshme sollën vuajtje të mëdha njerëzore.

Edhe SHBA-ja tërheq komplet forcat e saj nga Iraku në shtator Botë 1 j. më parë SHBA-ja tërheq komplet forcat e saj nga Iraku në shtator

Pakënaqësia dhe lufta për pushtet midis shiitëve dhe sunitëve nxitën luftën civile, duke çuar përfundimisht në tërheqjen e plotë të Amerikës në dhjetor të vitit 2011. Ndarja ishte një faktor kyç në rënien e forcave policore dhe ushtarake të vendit kur u përballën me kryengritjen e Shtetit Islamik që përfshiu të gjithë Irakun dhe Sirinë në vitin 2014.

Kthimi i SHBA-së

Rritja e grupit të Shtetit Islamik – rrënjët e tij ishin në degët e Al-Qaidas – dhe kërcënimi në rritje ndaj SHBA-së dhe aleatëve në të gjithë Evropën e ktheu SHBA-në në Irak me ftesë të qeverisë së Bagdadit në vitin 2014. Gjatë asaj vere dhe vjeshte, koalicioni i udhëhequr nga SHBA-ja filloi fushatat e sulmeve ajrore në Irak dhe më pas në Siri dhe rifilloi përpjekjen e gjerë për të trajnuar dhe këshilluar ushtrinë e Irakut.

Misioni i trajnimit dhe këshillimit të koalicionit ka vazhduar, i përforcuar nga një kontingjent i NATO-s, edhe pasi fushata e grupit të Shtetit Islamik për të krijuar një kalifat përfundoi në mars të vitit 2019.

Rreth 2.500 trupa të dislokuara në Irak jetojnë në baza të përbashkëta me trupat irakiane, ku ofrojnë trajnime dhe pajisje. Megjithatë, numri i përgjithshëm i trupave luhatet pak dhe Pentagoni nuk zbulon numrin e forcave të operacioneve speciale të SHBA-së që lëvizin në mënyrë rutinore brenda dhe jashtë vendit për të ndihmuar forcat irakiane ose për të udhëtuar në Siri për operacione kundër terrorizmit.

"Iraku është ende nën presionin e ISIS-it", tha gjenerali në pension i Korpusit të Marinës, Frank McKenzie, i cili drejtoi Komandën Qendrore të SHBA-së dhe shërbeu si komandanti më i lartë i SHBA-së për Lindjen e Mesme nga viti 2019 deri në vitin 2022. "Ne ende i ndihmojmë ata të vazhdojnë atë luftë. Ne kemi bërë shumë gjëra për t'i ndihmuar ata të përmirësojnë kontrollin e sovranitetit të tyre, i cili është i një rëndësie shumë të madhe për irakianët”.

Pse vazhdon prania e SHBA-së

Arsyeja e shumëpërfolur për praninë e vazhdueshme të trupave amerikane është të ndihmojë Irakun të luftojë mbetjet e kryengritjes së Shtetit Islamik dhe të parandalojë çdo rigjallërim. Por një arsye kryesore është Irani.

Ndikimi politik i Iranit dhe forca e milicisë në Irak dhe në të gjithë rajonin ka qenë një shqetësim i përsëritur i sigurisë për SHBA-në gjatë viteve. Dhe prania e forcave amerikane në Irak e bën më të vështirë për Iranin që të lëvizë armët nëpër Irak dhe Siri për në Liban, për t'u përdorur nga përfaqësuesit e tij, përfshirë Hezbollahun libanez, kundër Izraelit.

Edhe Pentagoni zvogëlon misionin ushtarak në Irak Botë 9 muaj më parë Pentagoni zvogëlon misionin ushtarak në Irak

E njëjta gjë është e vërtetë për praninë e trupave amerikane rreth garnizonit al-Tanf në Sirinë juglindore, e cila ndodhet në një rrugë jetike që mund të lidhë forcat e mbështetura nga Irani, nga Teherani deri në Libanin jugor - dhe në pragun e Izraelit. Si në Irak ashtu edhe në Siri, trupat amerikane prishin atë që mund të jetë një urë tokësore e pakontestueshme për Iranin në Mesdheun lindor.

Trupat amerikane në Irak ofrojnë gjithashtu mbështetje kritike logjistike dhe mbështetje tjetër për forcat amerikane në Siri, të cilat janë partnere me Forcat Demokratike Siriane të udhëhequra nga kurdët që luftojnë grupin e Shtetit Islamik. SHBA-ja kryen sulme ajrore dhe misione të tjera që synojnë liderët e ISIS-it, dhe gjithashtu mbështet Forcat Demokratike Siriane (SDF) në ruajtjen e mijëra luftëtarëve të kapur të ISIS-it dhe anëtarëve të familjeve të burgosur në Siri.

Udhëheqësit ushtarakë mposhtën me sukses përpjekjet e presidentit të atëhershëm, Donald Trump, për të tërhequr të gjitha trupat nga Siria dhe Iraku. Ata argumentuan se nëse diçka do të ndodhte në Siri që rrezikonte forcat amerikane, ata do të duhej të ishin në gjendje të dërgonin shpejt trupa, pajisje dhe mbështetje tjetër nga Iraku.

Në një vizitë të fundit në Baghdad për t'u takuar me udhëheqësit irakianë, Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se forcat amerikane janë gati të qëndrojnë në Irak, në një rol jo luftarak, me ftesë të qeverisë.

"Ne jemi thellësisht të përkushtuar për të siguruar që populli irakian mund të jetojë në paqe dhe dinjitet, me siguri dhe me mundësi ekonomike për të gjithë", tha ai.

Iraku sipas numrave

Në kohën kur Washingtoni tërhoqi trupat e tij të fundit luftarake në dhjetor të vitit 2011, dhjetëra mijëra civilë irakianë vdiqën, së bashku me 4.487 trupa amerikane.

Më shumë se 3.500 trupa u vranë në aksione armiqësore dhe gati 1 mijë vdiqën në vdekje jo luftarake nga viti 2003 deri në vitin 2011. Më shumë se 32 mijë trupa u plagosën në aksion; dhjetëra mijëra të tjerë kanë raportuar gjithashtu sëmundje në Departamentin e Çështjeve të Veteranëve që besohet të jenë të lidhura me ekspozimin toksik nga gropat e djegies në Irak. Legjislacioni i nënshkruar brenda ligjit nga administrata Biden ka zgjeruar numrin e veteranëve që do të kualifikohen për kujdes të përjetshëm ose përfitime për shkak të atij ekspozimi.

Nga viti 2003 deri në vitin 2012, Shtetet e Bashkuara dhanë 60.64 miliardë dollarë për të financuar forcat e sigurisë dhe rindërtimin civil të Irakut, sipas Inspektorit të Përgjithshëm Special për Rindërtimin e Irakut. Nga ky total, 20 miliardë dollarë shkuan për financimin, pajisjen, sigurimin e uniformave dhe trajnimin e forcave të sigurisë së Irakut.

Edhe Analizë 4 muaj më parë Nga Iraku i vitit 1991 tek Irani sot: një histori që po përsëritet

Ka pasur afërsisht 100 mijë kontraktorë çdo vit në Irak që mbështesin forcat amerikane dhe misionin e SHBA-së nga viti 2007 deri në vitin 2010, sipas Shërbimit të Kërkimeve të Kongresit. Nga fundi i vitit të kaluar, kishte rreth 6.500 kontraktorë që mbështesnin operacionet e SHBA-së në Irak dhe Siri, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së.

Përktheu: Forca Jashari

Image

Përkrahësit e klerikut shiit, Muqtaba al-Sadr gjatë vitit 2020. Mijëra prej tyre u mblodhën për të kërkuar tërheqjen e ushtrisë amerikane nga Iraku