Botë

Pse Macron telefonon aq shpesh me Putinin?

Presidenti francez po përpiqet të ruajë një linjë komunikimi me diktatorin rus, por bisedat nuk kanë sjellë ndonjë gjë për Ukrainën e sulmuar nga Rusia. Macron ka kultivuar një raport të afërt me Vlladimir Putinin, ndonëse më 2017, pak para zgjedhjeve presidenciale franceze, mediat ruse zhvilluan një fushatë kundër Macronit duke e përshkruar si homoseksual. Të dielën në Francë zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Cilat janë shanset e Macronit?

Që nga fillimi i vitit presidenti francez Emmanuel Macron ka telefonuar 16 herë me Vlladimir Putinin. Përpjekjet e Macronit për ta bindur presidentin rus të ndalë agresionin kundër Ukrainës kanë qenë të pasuksesshme. Në vitin 2019 Macron e priti Putinin në rezidencën verore të presidentit francez në Côte d’Azur. Po atë vit Macron tha se Rusia nuk është më armike. “Rusia paraqet kërcënim, por është edhe partnere”, shtoi Macron.

Në një intervistë me revistën britanike “The Economist” presidenti francez e quajti NATO-n një organizatë me “tru të vdekur”. Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tani pyeti në drejtim të Parisit: “President Macron, sa herë keni negociuar me Putinin? Çfarë keni arritur?” Akuza u hodh poshtë nga Pallati Elysée. Sulmi i Mateusz Morawieckit nga ekipi i Macronit u kuptua si ndihmë elektorale për kandidaten e ekstremit të djathtë Marine Le Pen.

Morawiecki dhe Le Pen kanë nënshkruar vitin e kaluar një apel për “Europën e atdheve”. Synimi i apelit është mobilizimi i të djathtës europiane dhe kundërshtimi i Bashkimit Europian, i cili prej vitesh kritikon Poloninë për dobësim të shtetit juridik.

Kritika polake mund të ketë zanafillën edhe në mosmarrëveshjet e mëhershmes mes Polonisë dhe Francës. Paraardhësi i Macronit, François Hollande, më 2014, disa muaj pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, kishte organizuar në Francë një takim mes liderëve të Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Ukrainës (François Hollande, Angela Merkel, Vlladimir Putin dhe Petro Poroshenko). Ministri i Jashtëm polak Radosllav Sikorski qëllimisht ishte shmangur nga takimi për shkak se ndërhyrjet e tij nuk u pëlqenin rusëve. Kësisoj Franca nuk e kundërshtoi dëshirën gjermane që të negociohet pa polakët, të cilët për shkak të përvojës së hidhur me rusët (dhe më herët sovjetikët) mbanin qëndrim më kritik ndaj Putinit. Para një viti ministri i Jashtëm polak Zbigniew Rau e etiketoi Francën si “kalë Troje të Rusisë në BE”.

Para zgjedhjeve presidenciale në Francë në vitin 2017, kandidati i atëhershëm Emmanuel Macron ishte në shënjestër të një fushate të mediave ruse, të cilat në disa shkrime aluduan se Macron është homoseksual. Me akuzën për homoseksualizëm ndaj Macronit Kremlini synonte t’i ndihmonte kandidates Marine Le Pen, partia e së cilës nga një bankë ruse kishte marrë një kredi prej gati 10 milionë euro.

Të dielën në Francë zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Momentalisht në anketa është duke kryesuar Emmanuel Macron, pas tij gjendet Marine Le Pen. Pastaj disa kandidatë të tjerë. Llogaritet se në raundin e parë nuk zgjidhet presidenti francez. Raundi i dytë organizohet më 24 prill. Dhe gjasat janë të mëdha që dueli të zhvillohet mes Macronit dhe Le Pen.

Anketat tregojnë se në një përballje të tillë Macron ka një epërsi të ngushtë (rreth 51 për qind), ndërsa Le Pen 49 për qind. Një fitore eventuale e Le Pen do të ishte po aq dramatike për Bashkimin Europian sa dalja e Britanisë së madhe nga BE. Apo fitorja e Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale amerikane në nëntor 2016.

Në një tubim me përkrahësit e tij të shtunën e kaluar në Paris, presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje francezeve dhe francezëve të mos e nënçmojnë rrezikun që vjen nga e djathta ekstreme.