Në vend që të reagonte ndaj Serbisë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë akuzoi qeverinë e këtij vendi për krijimin e “kësaj atmosfere krize në veri” dhe ambasadori i SHBA-së në Serbi e lavdëroi shtetin serb se ishte partner konstruktiv.
Ani pse presidenti rus, Vladimir Putin, ka performancë të dobët në Ukrainë, ai do të përdorë çdo taktikë të mundshme për ta shpërqendruar Perëndimin. Këtë herë, Rusia, me ndihmën e Serbisë, po provokon kaos nën brezin e ndjeshëm të Evropës - Ballkan.
Qëllimi është ta shtyjë Ballkanin në humnerë dhe të shkaktojë dhunë etnike, sepse kjo i lejon Kremlinit të minojë NATO-n dhe ta rivendosë Rusinë si ndërmjetësen e fuqisë së rajonit. Pra, pse presidenti Joe Biden dhe ekipi i tij po ecin me planin?
Sirenat e sulmit ajror kanë rënë në veri të Kosovës kur serbët etnikë u përleshën me policinë pasi u arrestua një udhëheqës i dyshuar i protestës serbe.
Dy javë më parë, pas zgjedhjeve komunale të kryetarëve shqiptarë, protestuesit serbë bënë të njëjtën gjë me trupat e NATO-s, duke plagosur 30 anëtarë të forcës së KFOR-it.
Nga 1.8 milionë banorët e Kosovës, 92% janë shqiptarë dhe vetëm 6% janë serbë.
Vendi i vogël ka qenë prej kohësh aleat i SHBA-së; është vendi ku njerëzit i emërojnë fëmijët e tyre sipas liderëve amerikanë dhe shtëpia e bulevardit George W. Bush dhe rrugës Bob Dole.
Kosova e do Amerikën, sepse Uashingtoni e ndihmoi këtë vend kundër Serbisë që po vriste shqiptarët etnikë dhe mbështeti pavarësinë e saj në vitin 2008. Dashuria amerikane qartazi nuk është pa kushte.
Qëndrimet e ambasadorëve
Në vend që të reagonte ndaj Serbisë, ambasadori i SHBA-së në Kosovë akuzoi qeverinë e këtij vendi për krijimin e “kësaj atmosfere krize në veri” dhe ambasadori i SHBA-së në Serbi e lavdëroi shtetin serb se ishte partner konstruktiv.
Amerika e largoi Kosovën nga pjesëmarrja në stërvitjen e saj aktuale të NATO-s, “Defender Europe 23”.
Ky ndryshim i çuditshëm në politikën amerikane i ka rrënjët në shmangien e Bidenit ndaj rrezikut dhe frikës nga përshkallëzimi me Rusinë.
Shtetet e Bashkuara shqetësohen se Serbia do të përqendrohet drejt Rusisë dhe do të lejojë Putinin të hapë një front tjetër konflikti. Por nëse ka një gjë që administrata e Bidenit duhet ta dijë, ajo është qetësia e Rusisë që e inkurajon Putinin.
Forcat e armatosura serbe do të marrin pjesë në stërvitjen ushtarake shumëkombëshe “Platinum Wolf” me NATO-n. Ambasada amerikane e Serbisë ka njoftuar me entuziazëm se kjo tregon se Serbia “ka zgjedhur Perëndimin”. Kjo deklaratë nuk mund të jetë më e gabuar. Strategjia balancuese e Serbisë midis Rusisë dhe Uashingtonit ka lejuar që kjo stërvitje të mbahet shtatë herë që nga viti 2014.
Reagimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, përfaqëson taktikën e tij të preferuar për të përshkallëzuar dhe më pas për të de-përshkallëzuar dhe ta përdorë Kosovën si mjet pazaresh me Perëndimin.
Kremlini tashmë po e inkurajon Serbinë të përshkallëzojë situatën edhe më shumë. Ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov , shpërthimin e dhunës e quajti “shqetësues” dhe fajin ia la Perëndimit: “Një ‘shpërthim’ i madh po ndodh në qendër të Evropës, pikërisht në vendin ku, në vitin 1999, NATO-ja kreu agresion kundër Jugosllavisë”.
Ambasadori rus në Serbi, Aleksandr Botsan-Kharchenko, ka theksuar se situata në Kosovë është formë e “luftës hibride” dhe pretendoi se kundërshtarët e Vuçiqit duan të bëjnë “një grusht shteti të stilit Maidan”, duke iu referuar kryengritjes së Ukrainës 2013-14.
Ndërhyrja e Rusisë
Rusia po ndërhyn gjithashtu në terren. Në shkurt, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se anëtarët e grupit mercenar rus Wagner, po punojnë me paraushtarakët serbë.
Verbëria e Perëndimit ndaj lojërave të pushtetit të Vuçiqit dhe Putinit dhe fajësimi i tij ndaj Kosovës përfaqësojnë strategjinë e “realpolitikës”.
Shtetet e Bashkuara besojnë se Serbia është më e rëndësishme strategjikisht se Kosova, pasi Uashingtoni e di se Vuçiqi mund të bashkëpunojë lehtësisht me Moskën për të ndezur konfliktin e ri në rajon.
Paqësimi amerikan ndaj Serbisë nuk do të funksionojë: marrëdhëniet Serbi-Rusi janë të gjalla dhe të mira.
Bashkëpunimi i Serbisë me Perëndimin në stërvitjet ushtarake dhe retorikën boshe është pjesë e strategjisë së saj balancuese midis Rusisë dhe Uashingtonit, jo shenjë e besnikërisë së saj ndaj Perëndimit.
Në vazhdën e luftës së Rusisë, Serbia kurrë nuk miratoi sanksione kundër Rusisë.
Muajin e kaluar, drejtori pro-rus i agjencisë së inteligjencës së Serbisë, Aleksandar Vulin, udhëtoi në Moskë për një konferencë sigurie.
Serbia nuk është viktimë e ndikimit rus. Si pjesë e objektivit të tij më të gjerë për të qëndruar në pushtet, Vuçiq ka shfrytëzuar jostabilitetin në rajon për ta krijuar veten si një forcë për stabilitet.
Duke përshkallëzuar dhe më pas duke depërshkallëzuar krizën dhe duke negociuar me Perëndimin, sipas kushteve të tij, Vuçiqi e ka pozicionuar veten si marrëveshje-bërës i moderuar në rajon.
Dhe ai ka shfrytëzuar situatën në përshkallëzim në Kosovë për t’i larguar votuesit e tij nga sfidat në rritje të brendshme.
Rusia ka dashur prej kohësh të tregojë se NATO është tigër prej letre. KFOR-i duhet të dërgojë një sinjal të besueshëm se është i gatshëm të ndërhyjë kundër forcave serbe në rast të përshkallëzimit.
Javën e kaluar, NATO -ja ka angazhuar 700 trupa për ta forcuar sigurinë në rajon. Ky është hap në drejtimin e duhur.
Në vend që ta qetësojë Serbinë, Amerika duhet të bëjë presion ndaj Beogradit që ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Perëndimi duhet të thërrasë blofin e Rusisë për ta ndërgjegjësuar Vuçiçin për mosbesueshmërinë e Rusisë si aleat.
Ambasadori rus në Serbi e ka inkurajuar Beogradin që të llogarisë në mbështetjen e Moskës ndaj Kosovës dhe e përshkroi situatën si “në prag të një konflikti më të gjerë”.
Me burimet ushtarake ruse të shteruara në Ukrainë, Kremlini nuk mund ta mbështesë Serbinë.
Dhe një konfrontim i drejtpërdrejtë me NATO-n nuk do t’u shërbente interesave të Vuçiqit.
Perëndimi duhet të pranojë se dobësia u jep guxim Putinit dhe Vuçiqit.
Rusia dhe Serbia do të vazhdojnë ta nxehin sërish këtë konflikt të ngrirë kur t’u përshtatet interesave të tyre.
Në vend që të lejojë Moskën të zhvlerësojë NATO-n, është koha që Perëndimi të provojë se Kremlini nuk është gjë tjetër veçse një guaskë boshe.
Përktheu: Blerta Haxhiu