Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pse 9 maji është ditë e madhe për Rusinë dhe çfarë nënkupton shpallja e luftës

Pse 9 maji është ditë e madhe për Rusinë dhe çfarë nënkupton shpallja e luftës

Rusia mund ta ketë nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, por presidenti Vladimir Putini ka insistuar që trupat e tij po ndërmarrin “operacion special ushtarak” në vend se ta shpallte luftën, shkroi CNN të martën.

Zyrtarët perëndimorë dhe analistët besojnë se kjo mund të ndryshojë më 9 maj, një ditë simbolike për Rusinë, me një deklaratë zyrtare të luftës që do t’ia hapë rrugën Putinit që të rrisë luftën e tij.

Çfarë është 9 maji?

9 maji, e njohur si “Dita e Fitore” brenda Rusisë, shënon humbjen e nazistëve më 1945.

Shënohet me paradë ushtarake në Moskë, dhe liderët rusë tradicionalisht te monumenti i Vladimir Leninit për ta shikuar atë.

“9 maji është krijuar për t'u dukur para turmës vendase, për të frikësuar kundërshtarët dhe për të kënaqur diktatorin e kohës”, ka thënë James Nixey, drejtor i Programit Rusia-Eurasia.

Zyrtarët perëndimorë kanë besuar për gjatë që Putini do ta shfrytëzojë rëndësinë simbolike dhe vlerën e propagandës të kësaj dite për ta shpallur një arritje ushtarake në Ukrainë ose përshkallëzimin e armiqësisë – ose të dyja.

Presidenti rus ka sy të mprehtë për simbolizmin, duke nisur pushtimin e Ukrainës një ditë pas Ditës së Mbrojtësit të Atdheut, një tjetër ditë vendimtare në Rusi.

Përgatitja për mobilizim?

Putini ka shumë opsione në tavolinë, sipas Oleg Ignatov, analist për Grupin Rusia në Kriza.

“Shpallja e luftës është skenari më i vështirë”, tha ai.

Ndërkohë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky – i cili nuk i ka shpallur luftë zyrtarisht Rusisë – ka shpallur gjendjen e luftës në Ukrainë kur Rusia filloi pushtimin.

Tjetër opsion për Putinin është të vendosë ligjin e mobilizimit të Rusisë, i cili mund të përdoret për të filluar një mobilizim të përgjithshëm ose të pjesshëm ushtarak “në raste të agresionit kundër Federatës Ruse ose në kërcënim direkt të agresionit, shpërthimi të konflikteve të armatosura kundër Federatës Ruse”.

Forcat ruse kanë humbur të paktën 150,000 ushtarë që nga fillimi i luftës, sipas Nixey, dhe përforcime do të nevojiten nëse Moska do të arrijë qëllimet e saj në Ukrainë.

Mobilizimi do të nënkuptonte zgjatjen e rekrutimit për ushtarët që janë aktualisht në forcat e armatosura, duke thirrur rezervistët ose duke sjellë burra që kanë pasur përvojë ushtarake, tha Ignatovi.

Por, paraqet rrezik të madh për qeverinë e Putinit, tha ai.

“Do ta ndryshonte tërë narrativen e Kremlinit”, tha Ignatovi, duke shtuar se lëvizja do ta detyronte Putinin të pranonte se pushtimi i Ukrainës nuk ka shkuar sipas planit.

“Është një vendim shumë i rrezikshëm”, shtoi Ignatovi, duke sqaruar se mobilizimi në shkallë të plotë do të dëmtonte edhe ekonominë e Rusisë.

Krahas kësaj, do ta zvogëlonte mbështetjen për Putinin në shtëpi, pasi disa rusë mbështesin pushtimin e Ukrainës pa dashur që personalisht të shkojnë të luftojnë, tha analisti.

Mund të jetë sërish e mundshme që Putini ta vendosë ligjin e mobilizimit pa e shpallur zyrtarisht luftën në Ukrainë, tha ai.

Putini mund ta dekretojë ligjin ushtarak në Rusi po ashtu, duke suspenduar zgjedhjet dhe duke përqendruar më tej fuqinë në duart e tij, tha Ignatov.

Kjo do të fuste në fuqi rregulla si ndalimi i largimit nga vendi i burrave që janë në moshë lufte, që sërish mund të jetë e papëlqyer.

Çfarë tjetër mund të ndodhë?

Nëse Putini nuk shpall luftë, ai mund të shikojë gjetkë për ta bërë një deklaratë për shënimin e Ditës së Fitores.

Opsionet e tjera përfshijnë aneksimin e territoreve të Luhanskut dhe Donetskut, duke bërë një shtytje të madhe drejt Odesas, ose të deklarojë kontrollin e plotë për qytetin port të Mariupolit.

Ka edhe indikacione se Rusia mund të planifikojë të shpallë dhe aneksojë një “republikë popullore” në qytetin juglindor të Khersonit.

“Putini do të shpallë se ushtria ruse pati disa fitore në Ukrainë, tha Ignatovi. “Ai mund të tentojë të përdorë këtë datë për ta forcuar mbështetjen ndaj tij”.

Megjithatë, është e vështirë të parashikohet se çfarë do të bëjë Rusia dhe presidenti i saj, shtuan analistët.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit i SHBA-së, Ned Price, tha të hënën se “ka një arsye të mirë të besohet se rusët do të bëjnë gjithçka që munden për ta përdorur” 9 majin për qëllime propaganduese.

Artikuj të ngjashëm