Tre burra janë arrestuar në lidhje me protestat e dhunshme pas djegies së Kuranit në Suedi të dielën, raporton BBC.
Trazirat nisën pasi një aktivist irakian anti-islam Salwan Momika dogji një kopje të Kuranit të dielën.
Policia ka ndaluar dhjetë persona për pengim të rendit publik në qytetin e Malmos.
Disa vetura janë djegur pasi rreth 100 personat u mblodhën në reagim ndaj djegies së Kuranit.
Momika dogji Kuranin në Varnhemstorget, sheshin kryesor të Malmos të dielën. Ai kishte përdhosur Kuranin edhe më parë, ndërsa veprimet e tij kanë shkaktuar zemërim diplomatik në Lindje të Mesme.
Zyrtarët kanë thënë se protestuesit kanë gjuajtur me gurë, ndërsa raportohet se janë hedhur edhe skuterë elektrikë në drejtim të Policisë.
Janë djegur disa vetura të Policisë në lagjen Rosengard të Malmos, ku ka shumë migrantë.
Suedia ka thënë se do të shikojë ndryshimet ligjore për të ndaluar protestat që përfshijnë djegien e librave të shenjtë.