Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Protesta në Beograd e Podgoricë ndaj shkarkimit të propozuar të Leposaviqit

Gjatë protestave në Mal të Zi, qytetarët kanë bllokuar qarkullimin e trafikut në Podgoricë, Tivar, Budvë dhe Nikshiq, ndërsa kanë bartur pankarte në të cilat mohohet gjenocidi në Srebrenicë. Ndërkaq në Serbi një grup protestuesish kanë hedhur bombola tymi në rrugën kryesore afër Ambasadës së Malit të Zi në Beograd

Qytetarët në disa qytete të Malit të Zi dhe në kryeqytetin serb, Beograd, kanë protestuar të hënën kundër vendimit të kryeministrit malazias, Zdravko Krivokapiq, për ta iniciuar procedurën e shkarkimit të ministrit të Drejtësisë dhe të drejtave të njeriut e pakicave, Vladimir Leposaviq, shkaku i dyshimit të shprehur për gjenocidin e 1995-s në Srebrenicë.

Gjatë protestave në Mal të Zi, qytetarët kanë bllokuar qarkullimin e trafikut në Podgoricë, Tivar, Budvë dhe Nikshiq, ndërsa kanë bartur pankarte në të cilat mohohet gjenocidi. Ndërkaq në Serbi një grup protestuesish kanë hedhur bombola tymi në rrugën kryesore afër Ambasadës së Malit të Zi në Beograd.

Kryeministri malazias i ka bërë thirrje ministrit Leposaviq, gjatë një bisede private, që të ofronte dorëheqjen, por një gjë të tillë ai e ka hedhur poshtë.

“Meqë Leposaviqi ka mbetur në pozitën e tij, e kam marrë vendimin e vështirë për ta iniciuar propozimin për shkarkimin e tij. Është e palejueshme që një ministër i drejtësisë t’i shprehë qëndrimet e tij personale”, ka thënë Krivokapiq.

Propozimi i kryeministrit tani pritet që të votohet në Parlament, ku tri blloqe që e përbëjnë shumicën qeverisëse kanë shumicë të ngushtë.

Leposaviq, një politikan me qëndrime proserbe, ka argumentuar muajin e shkuar se Tribunali i Hagës për krime lufte në ish-Jugosllavi, i cili e ka klasifikuar masakrën e boshnjakëve nga Srebrenica si gjenocid, nuk ka legjitimitet pasi që, siç ka pretenduar ai, ka shkatërruar dëshmitë për trafikimin e organeve të civilëve serbë në Kosovë.

“Jam i gatshëm të pranoj se krimi i gjenocidit është kryer në Srebrenicë, atëherë kur një gjë e tillë konstatohet në mënyrë të pamohueshme”, ka thënë ai.

Por shumë pak kohë pasi që këto komente të tij janë raportuar, ai ka adresuar një deklaratë, në të cilën ka bërë të ditur se nuk e kishte mohuar gjenocidin e Srebrenicës dhe se nuk do të jepte dorëheqje.

Liderët politikë nga radhët e partive proserbe në Mal të Zi vazhdimisht kanë refuzuar që ta pranojnë definicionin e Tribunalit të Hagës, duke pretenduar se vrasjet në Srebrenicë ishin krime lufte, porse jo gjenocid. Partitë opozitare dhe një iniciativë qytetare kanë iniciuar një peticion online për shkarkimin e Leposaviqit, duke argumentuar se deklarata e tij e minon reputacionin ndërkombëtar të Malit të Zi.

Pasi që Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Podgoricë i ka bërë thirrje javën e shkuar Qeverisë së Malit të Zi që të deklarohet qartazi se masakra e Srebrenicës ishte gjenocid, Qeveria e Krivokapiqit ka bërë të ditur se i respekton vendimet e të gjitha institucioneve ndërkombëtare dhe i dënon të gjitha krimet e luftës.

Më 2009, Parlamenti malazias kishte miratuar një deklaratë me të cilën kishte pranuar rezolutën e Parlamentit Evropian për Srebrenicën, me të cilën 11 korriku pranohet në Mal të Zi si ditë e përkujtimit të viktimave të masakrës së 1995-s. Por ndonëse deklarata i dënon krimet, sikurse krimet e tjera të kryera gjatë konflikteve të ish-Jugosllavisë, fjala gjenocid nuk ishte përmendur.

Në dhjetorin e 2020-s, partia opozitare boshnjake në Mal të Zi ka propozuar një rezolutë parlamentare për njohjen e gjenocidit të Srebrenicës, por partia në pushtet kishte votuar kundër.

Korrikun e 1995-s, më shumë se 7000 burra dhe djelmosha boshnjakë nga Srebrenica ishin vrarë në një sërë masakrash të kryera nga forcat serbe të Bosnjës, teksa mbi 4000 gra, fëmijë dhe të moshuar ishin dëbuar në krimin e klasifikuar si gjenocid nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, si dhe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

Artikuj të ngjashëm