Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Propozimi për ndalimin e hixhabit ngjall debat e protesta

Komisioni danez për Luftën e Grave të Harruara - organ i krijuar nga Partia Socialdemokrate në pushtet e Danimarkës – ka rekomanduar që qeveria e vendit të ndalojë hixhabin për nxënëset në shkollat fillore daneze. Propozimi i 24 gushtit është një nga nëntë rekomandimet me qëllimin e deklaruar për parandalimin e “kontrollit social të lidhur me nderin” e vajzave me prejardhje nga pakicat

Një rekomandim i ri për ta ndaluar hixhabin në shkollat fillore daneze është pritur me reagime të ashpra në Danimarkë.

Komisioni danez për Luftën e Grave të Harruara - organ i krijuar nga Partia Socialdemokrate në pushtet e Danimarkës – ka rekomanduar që qeveria e vendit të ndalojë hixhabin për nxënëset në shkollat fillore daneze.

Propozimi i 24 gushtit është një nga nëntë rekomandimet me qëllimin e deklaruar për parandalimin e “kontrollit social të lidhur me nderin” e vajzave me prejardhje nga pakicat.

Rekomandimet e tjera propozojnë ofrimin e kurseve të gjuhës daneze, promovimin e praktikave moderne të edukimit të fëmijëve në familjet e pakicave etnike dhe përforcimin e edukimit seksual në shkollat fillore.

Huda Makai Asghar, 15 vjeçe, do të detyrohet ta heqë shaminë e saj nëse ndalimi zbatohet. Nxënësja e klasës së nëntë në Kokkedal Skole – shkollë jashtë kryeqytetit danez, Kopenhagë, me afro 800 nxënës – e ka mbajtur hixhabin qe dy vjet.

Edhe Suedia drejt kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç Tech 1 muaj më parë Suedia drejt kufizimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç

“E kam ditur gjithmonë se ne e kemi lirinë e fesë në Danimarkë. Mund të vesh atë që dua dhe mund të besoj në atë që dua. Kështu që kur dëgjova për propozimin u çudita”, është shprehur ajo përmes telefonit.

Asghar mendon se ideja e ndalimit e shkel lirinë e saj dhe të vajzave si ajo, dhe se është e gabuar ta detyrosh ta heqë shaminë.

“Nuk mund ta bëj këtë; është pjesë e imja”, ka theksuar ajo.

Propozimi i ndalimit ka ngjallur reagime të ashpra në Danimarkë.

Argumentet kundër

Iram Khawaja, profesoreshë e asociuar në Shkollën Daneze të Edukimit në Universitetin Aarhus, ka dalë hapur kundër propozimit.

Hulumtimi i saj fokusohet në mënyrën se si fëmijët nga pakicat fetare dhe etnike funksionojnë në shoqërinë daneze dhe njëkohësisht ajo është bashkëthemeluese e Rrjetit të Psikologjisë Profesionale Kundër Diskriminimit.

Sipas Khawajas, një ndalim nuk do të zgjidhë asnjë nga çështjet me të cilat po përballen vajzat që janë subjekt i kontrollit social.

“Përkundrazi, ndalimi mund të krijojë probleme më të mëdha. Vajzat që tashmë janë të ekspozuara ndaj kontrollit negativ social do të vihen nën presionin që është gjithnjë e në rritje”, ka bërë të ditur ajo.

“Është e vështirë të barazohet mbajtja e hixhabit me kontrollin negativ social – ka edhe vajza që nuk e mbajnë hixhabin të cilat janë të ekspozuara ndaj kontrollit negativ social”, ka shtuar Khawaja.

Sipas raportit të komisionit (PDF), “përdorimi i shamisë në shkollën fillore mund të krijojë ndarje midis fëmijëve në dy grupe – “ne” dhe “ata””.

Studimi u krye nga kompanitë kërkimore Als Research dhe Epinion në emër të Ministrisë daneze të Arsimit. Ai bazohet në një anketë me 1.441 nxënës në klasat e gjashta deri të teta nga 19 shkolla fillore dhe tetë shkolla të pavarura dhe private, si dhe në 22 intervista me nxënës dhe 17 intervista me mësues.

Image

Sipas Khawajas, një studim i vitit 2018 mbi shtrirjen e kontrollit negativ social ka treguar se pak fëmijë të shkollës daneze - 8 për qind e pjesëmarrësve në studim - janë në të vërtetë të ekspozuar ndaj kontrollit social.

“Shumica e vajzave që e mbajnë hixhabin po e bëjnë atë me vullnetin e tyre të lirë”, tha Khawaja.

Sipas saj, vetëm rekomandimi dhe debati që do të vijojë mund të ketë pasoja negative.

Edhe Nisma për ndalim të shitjes së cigareve elektronike afër shkollave s’merr përkrahjen e shtetit Arbëri 2 muaj më parë Nisma për ndalim të shitjes së cigareve elektronike afër shkollave s’merr përkrahjen e shtetit

“Natyrisht që do të ketë pasoja nëse ndalimi vihet në zbatim, por besoj se tashmë ka rezultate negative. Thjesht nxjerrja e propozimit tashmë është stigmatizuese, problematike dhe hedh dyshime mbi një grup të madh pakicash fetare,” tha ajo.

“Megjithëse qëllimet janë të mira, kjo do të përfundojë duke stigmatizuar dhe dobësuar ata që në fakt po përpiqen t’i ndihmojnë”.

Edhe Lone Jørgensen, drejtoreshë e Tilst Skole, shkollë fillore në Jutland me rreth 700 nxënës, nuk e mbështet ndalimin e rekomanduar.

“Ndalimi do të krijonte një ligj midis fëmijëve dhe prindërve të tyre dhe fëmijët do të ngecnin në mes”, ka thënë Jørgensen.

“Detyra ime është të drejtoj një shkollë të mirë për të gjithë, ku të ketë vend për të gjithë dhe të gjithë të kenë vlerë të barabartë”.

“Pjesë e Danimarkës”

Më 26 gusht disa mijëra njerëz dolën në rrugët e Kopenhagës për të protestuar kundër propozimit të ndalimit.

Sipas mediave daneze, mijëra protestues dolën në rrugë.

Mamia dhe aktivistja Lamia Ibnhsain, 37-vjeçare, e ka organizuar ngjarjen e titulluar “Duart larg hixhabeve tona”.

“E kuptova që zërat tanë nuk po dëgjohen në shoqëri. Synimi fillestar me demonstratën ishte të dilnim në rrugë dhe të bënim që zëri ynë të dëgjohej”, ka theksuar ajo.

Ibnhsain ka treguar se është ndier shumë keq pas propozimit të ndalimit.

Ajo është ndier “ndryshe”, dhe si nënë ka frikë se ky ndalim mund të bëjë që disa vajza të ndihen sikur po “gabojnë” në krahasim me të tjerat.

“Gratë myslimane me hixhab janë kudo në shoqërinë daneze. Ato janë mjeke, psikologe, shofere autobusësh dhe artiste. Janë pjesë e Danimarkës”, është shprehur ajo. Ibnhsain është nënë e dy vajzave - një 8-vjeçare dhe një 16-vjeçare.

Vajza e saj e madhe e mban hixhabin, ndërsa më e vogla e mban atë në ditët kur e ndien dëshirën. Ibnhsain shpjegon se sa e vështirë ka qenë biseda me vajzat e saj për një ndalim të mundshëm.

Edhe BE-ja drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, gati aplikacioni për verifikimin e moshës Tech 3 muaj më parë BE-ja drejt ndalimit të rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç, gati aplikacioni për verifikimin e moshës

“Vajzat e mia e mbajnë hixhabin me gëzim dhe lumturi. Hixhabi është çështje zemre dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të kthehet në një diskutim politik”, tha ajo. “Ndalimi shkel të drejtat themelore të vajzave të mia”.

Përktheu: Blerta Haxhiu