Botë

Propozimi francez kundërshtohet me protesta në Shkup

Dhjetëra protestues janë mbledhur të hënën në mbrëmje, në oborrin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për të kundërshtuar propozimin francez për zgjdihje të mosmarrëveshjeve me Bullgarinë, në natën e tretë rresht, ka njoftuar Alsat të martën.

Propozimi francez do të diskutohet gjatë kësaj jave në Kuvend. Por, ndërmjet pushtetit dhe opozitës po vazhdojnë përplasjet rreth përmbajtjes së propozimit francez, i cili duhet t’u japë fund dallimeve që ka Shkupi me Sofjen zyrtare dhe të zhbllokohet procesi i integrimeve evropiane.

Propozimi francez përbëhet nga shtatë pika. Pjesa që ka nxitur më së shumti debat është çështja e gjuhës dhe e kaluara historike, e cila është pjesë e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bullgarinë dhe si e tillë, kjo marrëveshje është e përfshirë dhe në propozimin francez.

Në pikën e tretë theksohet se, “Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit me mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin (marrëveshjen) për fqinjësi të mirë me Bullgarinë”.

Shtatë pikat e propozimit francez

1. Duke përsëritur konkluzionet e tij të 14 dhjetorit 2021, Këshilli mirëpret vendosmërinë e vazhdueshme të Maqedonisë së Veriut për të avancuar agjendën e reformave të BE-së dhe për të dhënë rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme.

2. Në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Këshilli rikujton rëndësinë e arritjes së rezultateve të prekshme dhe zbatimit në mirëbesim të marrëveshjeve dypalëshe, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë dhe Traktatin e Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit me Bullgarinë.

3. Në këtë drejtim, ai mirëpret marrëveshjen për protokollin e mbledhjes së dytë të Komisionit të Përbashkët Ndërqeveritar të krijuar sipas nenit 12 të këtij Traktati. Ky hap i rëndësishëm do të kontribuojë në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe rajonale bashkëpunimi, të cilat mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit.

4. Gjithashtu do të mundësojë forcimin e të drejtave të barabarta të personave që u përkasin pakicave dhe komuniteteve në Maqedoninë e Veriut dhe si e tillë do të kontribuojë në pajtueshmërinë me kriteret politike të Kopenhagës. Këshilli mirëpret në këtë drejtim synimin e Maqedonisë së Veriut të nisë dhe të arrijë me prioritet ndryshimet kushtetuese përkatëse, me qëllim që në Kushtetutë të përfshihen edhe qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe që janë pjesë e njerëzve të tjerë, si bullgarët.

5. Duke marrë plotësisht parasysh këto përparime dhe përputhshmërinë e pandërprerë në të gjitha fushat e identifikuara nga Këshilli në qershor 2018, Këshilli ka vendosur të miratojë Kornizën Negociuese dhe të mbajë, në përputhje me Metodologjinë e Përmirësuar dhe Vendimi për hapjen e negociatave të anëtarësimit është marrë më 25 mars 2020 në një konferencë politike ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut me qëllim të paraqitjes së hapave të ardhshëm të procesit të zgjerimit pas miratimit të negociatave siç përshkruhet në “Deklaratën e hapjes së BE-së”.

6. Për të përfunduar këtë fazë hapëse të negociatave të anëtarësimit, Këshilli gjithashtu vendos të thërrasë një tjetër konferencë ndërqeveritare me synimin për të paraqitur Kornizën Negociuese dhe gjendjen e punës përgatitore nga Komisioni dhe është i gatshme ta mbajë atë pa vonesa të mëtejshme dhe pa vendime shtesë politike, sapo Maqedonia e Veriut të ketë zbatuar zotimin e saj për të përfunduar ndryshimet e lartpërmendura kushtetuese, në përputhje me procedurat e saj të brendshme.

7. Në këtë perspektivë, Këshilli vëren se Komisioni ka avancuar punën e tij për të kryer dhe përfunduar procesin e shqyrtimit analitik të acquis të BE-së dhe është i gatshëm t'i paraqesë në kohën e duhur rezultatet e tij në Maqedoninë e Veriut. Mbi këtë bazë, fton Komisionin që të vazhdojë të vlerësojë gjendjen e përgatitjes së Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave në fusha specifike dhe identifikimin e çështjeve që me shumë gjasa do të dalin në negociata, duke filluar me grupin e bazave, i cili, në përputhje me Kornizën Negociatore, do të hapet fillimisht pasi Maqedonia e Veriut të ketë përmbushur kriteret përkatëse të dakorduara nga Këshilli.