Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj italianëve që dyshohet se kanë paguar anëtarët e ushtrisë serbe të Bosnjës për të shkuar në Sarajevë, në mënyrë që ata të vrisnin qytetarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.
Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.
Snajperët ishin ndoshta elementi më i frikshëm i jetës gjatë rrethimit në Sarajevë, sepse ata i vrisnin njerëzit në rrugë, përfshirë fëmijët, rastësisht, sikur të ishte një videolojë.
Grupe italianësh dhe kombësish të tjera, të ashtuquajtur "turistët snajperistë", dyshohet se kanë marrë pjesë në masakër pasi u kanë paguar shuma të mëdha parash ushtarëve që i përkisnin ushtrisë së Radovan Karaxhiçit, ish-liderit serb të Bosnjës, i cili në vitin 2016 u shpall fajtor për gjenocid dhe krime të tjera kundër njerëzimit, për t'u transportuar në kodrat përreth Sarajevës, në mënyrë që të mund të qëllonin mbi popullsinë, për kënaqësi.
Sarajeva ndodhet në një pellg të rrethuar nga male, gjë që i bënte sulmet shumë të lehta.
Prokurorët e Milanos, të udhëhequr nga Alessandro Gobbi, nisën një hetim që synon identifikimin e italianëve të përfshirë, me akuzat për vrasje të vullnetshme, të rënduara nga mizori dhe motive të shëmtuara.
Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq.
Gavazzeni ka thënë se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth “turistëve të dyshuar snajperistë” në shtypin italian në vitet 1990, por vetëm pasi kishte parë “Sarajevo Safari”, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniq, filloi të hetonte më tej.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretenduan se disa grupe perëndimorësh qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet e tyre janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.
“’Sarajevo Safari’ ishte pika e fillimit”, ka thënë Gavazzeni.
“Fillova një korrespondencë me drejtorin dhe që andej e zgjerova hetimin tim derisa mblodha materiale të mjaftueshme për t’ua paraqitur prokurorëve të Milanos”, ka shtuar ai.
Gavazzeni pretendon se shumë italianë dyshohet se janë të përfshirë, pa dhënë një shifër.
“Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguanin shuma të mëdha parash për t’u çuar atje për të qëlluar civilë.”
“Nuk kishte motive politike apo fetare. Ata ishin njerëz të pasur që shkonin atje për argëtim dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që i duan armët dhe që ndoshta shkojnë në poligone qitjeje ose në safari në Afrikë”, ka thënë ai.
Ai pretendon se të dyshuarit italianë takoheshin në qytetin verior të Triestes dhe udhëtonin për në Beograd, nga ku ushtarët serbo-boshnjakë i shoqëronin ata në kodrat e Sarajevës.
“Kishte një trafik turistësh lufte që shkonin atje për të qëlluar njerëz”, ka thënë ai.
Gavazenni ka shtuar se kishte identifikuar disa nga individët italianë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë dhe të cilët pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët e ardhshme.
Vdekjet e profilit më të lartë nga sulmet me snajperë ishin me gjasë Bošco Brkiq dhe Admira Ismiq, një çift i dokumentuar në filmin Romeo dhe Zhuljeta në Sarajevë, të cilët u vranë nga një snajper në vitin 1993 ndërsa përpiqeshin të kalonin një urë. Trupat e tyre mbetën në tokën e askujt, midis pozicioneve boshnjake dhe serbe të Bosnjës për disa ditë. Fotografitë u botuan gjerësisht dhe u bënë simbol i rastësisë dhe çnjerëzimit të luftës.
Rruga kryesore që të çon në Sarajevë, Bulevardi Meša Selimoviq, u quajt "Rruga e Snajperëve" sepse u bë jashtëzakonisht e rrezikshme, por nuk mund të shmangej pasi ishte rruga për në aeroportin e Sarajevës.
Tramvajet dhe autobusët kishin dritaret e tyre të mbyllura dhe përreth kishte tabela paralajmëruese për snajperët.
Nicola Brigida, një avokat që ndihmoi Gavazzeni të përgatiste çështjen e tij ka thënë se "Provat e grumbulluara pas një hetimi të gjatë (nga Gavazzeni) janë të mbështetura mirë dhe mund të çojnë në hetime serioze për të identifikuar fajtorët.
Sipas tij, ekziston edhe raporti nga ish-kryetari i bashkisë së Sarajevës.