Javën e kaluar Fondacioni Kombëtar i Sporteve të Qitjes, grup tregtar për prodhuesit e armëve, shpërndau për 80.000 anëtarët e tij udhëzime të detajuara në lidhje me mënyrën se si të aplikojnë për licencë eksporti. Ata gjithashtu bashkëngjitën edhe një listë me snajperë, revole dhe municion, të kërkuara nga Ambasada e Ukrainës në Washington
Kompanisë së armëve të familjes së Adrian Kellgrenit në Florida i mbeti në depo dërgesa prej 200 mijë dollarësh me pushkë gjysmë-automatike, pasi një myshteri i rregullt në Ukrainë nuk u bë i gjallë që kur nisi pushtimi i shtetit të tij nga Rusia e Vladimir Putinit.
Duke iu frikësuar më së keqes, Kellgren dhe kompania e tij ‘KelTec’ vendosën t’i përdorin 400 armë, duke ia dërguar Ukrainës me qëllim që civilët të luftojnë kundër ushtrisë ruse që vazhdimit po i bombardon banesat, shkollat, spitalet dhe vendet ku janë fshehur ata.
“Amerikanët duan të bëjnë diçka”, thotë Kellgren, ish-pilot i marinës amerikane. “Ne e duam dhe e vlerësojmë lirinë. Na thyhet zemra kur shohim grupe njerëzish duke u lënduar në këso mënyrash”.
Donacioni i ‘KelTec’ me bazë në Cocoa është shembull i profilit të lartë të amerikanëve që grumbullojnë armë, municione, jelekë antiplumb, helmeta dhe pajisje të tjera taktike si përgjigje ndaj premtimit të presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, për armatimin e qytetarëve të tij.
Kellgren, që është marrë me armët për vite, ia doli që përmes një fqinji ukrainas të bjerë në kontakt me një diplomat të Ambasadës së Ukrainës, që i ndihmoi të siguronte eksport të licencuar të armëve federale vetëm brenda katër ditëve. Ky lloj procesi shpesh zgjat katër muaj.
Gjatë kësaj jave, pasi që Kongresi po debatonte nëse duhet t’i dërgohen Ukrainës më shumë armë të avancuara dhe sisteme të mbrojtjes, punëtorët e depos së ‘KelTec-ut’ i bartën katër paleta që përmbanin pushkë të palosshme për t’ia dërguar një shteti sekret të NATO-së. Prej këtu, marrësi i ri i dërgesës, ministri i Mbrojtës e Ukrainës, do të jetë përgjegjës për kontrabandimin e armëve në zonën e luftës.
“Ky është momenti kur përçarja dhe heroizmi i vërtetë fillojnë”, thotë Kellgren.
Zyrtarë dhe departamente policore nga Kalifornia e deri në New York thonë se kanë grumbulluar me mijëra jelekë antiplumb dhe me miliona municione për Ukrainën.
Javën e kaluar Jared Polis nisi një fushatë për t’i pyetur policinë dhe departamentet policore që të japin si donacion helmeta balistike dhe pajisje të tjera. “E dimë që mund të përdoren që të ndihmojnë në ndalimin e Putinin dhe ta shpëtojmë Ukrainën”, thotë ai.
Por ka rreziqe të shumta: Një organizate joqeveritare nga New Yorku, që ishte në krye për grumbullimin e pajisjeve taktike, iu vodhën 400 jelekë antiplumb para se të niseshin drejt Ukrainës.
Shumë organizatorë nuk ia kanë idenë se si t’i respektojnë rregullat për eksportimin ndërkombëtar të armëve, për të cilën nganjëherë kërkohen aprovime nga Departamenti i Shtetit, Tregtisë dhe Mbrojtjes edhe për pajisje taktike jo vdekjeprurëse. Organizatorët e lëvizjeve të tilla po e përdorin licencën e KelTec-it për të eksportuar 60 armë që i kanë grumbulluar së fundi.
“Po shpresoj që kjo lloj lëvizjeje të përhapet në të gjithë Amerikën dhe çdo dyqan dhe prodhues armësh t’i pranojnë këto donacione“, tha për një konferencë lajmesh të premten Bruce Blakeman.
Javën e kaluar Fondacioni Kombëtar i Sporteve të Qitjes, grup tregtar për prodhuesit e armëve, shpërndau për 80.000 anëtarët e tij udhëzime të detajuara në lidhje me mënyrën se si të aplikojnë për licencë eksporti. Ata gjithashtu bashkëngjitën edhe një listë me snajperë, revole dhe municion, të kërkuara nga Ambasada e Ukrainës në Washington.
“KelTec” shpreson të përgatisë më shumë dërgesa në të ardhmen. Licenca e saj e lejon të eksportojë deri në 10.000 armë dhe kompania i ka ofruar Ukrainës linjën e tyre të prodhimit dhe dërgesa javore.
Detajet e përpjekjeve të “KelTec-it”, u shfaqën në një dokument të Departamentit të Drejtësisë këtë javë nga avokati i pasurive të paluajtshme me bazë në Maryland, Lukas Jan Kaczmarek,i cili shtoi se si vullnetar në Shoqatën e Avokatëve Ukrainas-Amerikanë po i ndihmon Ukrainës të marrë armë në të njëjtën kohë me Volodymyr Muzylov, sekretari i parë në Ambasadën e Ukrainës.
“Pres të punoj me këtë kapacitet gjatë kohëzgjatjes së pushtimit rus të Ukrainës dhe nuk pranoj e as nuk do të pranoj kompensime monetare për asistencë”, shkroi Kaczmarek në regjistrimin e tij si agjent i huaj i Qeverisë së Zelenskyyt.
“KelTec” nuk është prodhuesi i vetëm i armëve që iu ka përgjigjur thirrjeve.
Një kompani tjetër nga Florida, “Adams Arms”, në Facebook ka postuar një video ku thuhet se është një dërgesë e karabinave për Ukrainë. Kjo kompani gjithashtu ka filluar të shesë edhe bluza me mbishkrime ukrainase. Paratë e mbledhura nga shitjet e bluzave do t’iu dhurohen Bankës Kombëtare të Ukrainës për fondet e luftës.
Edhe pse pushkët nuk krahasohen me avionët ushtarakë dhe bombat e Rusisë, ato mund t’iu ndihmojnë ukrainasve nëse luftojnë me ushtrinë ruse në rrugë, thotë majori, tashmë i pensionuar i ushtrisë amerikane, John Spencer.
Pushkët gjysmë-automatike që “KelTec” po i dërgon ndoshta janë më të vlefshme sesa teknologjia e avancuar e raketave kundërajrore që kërkojnë trajnime të shumta që i tejkalon mundësitë e civilëve, shumica prej të cilëve nuk kanë prekur as revole me dorë, thotë ai.
“Secila dërgesë e armëve është vendimtare”, thotë Spencer, analist i luftës urbane në Forumin e Politikave të Madisonit. “Nga dhjetëra mijëra, po i jepni mundësinë një luftëtari më shumë për të luftuar me armë të thjeshtë për t’u përdorur”.
Kellgren thotë se është inspiruar nga shkathtësitë dhe rezistenca e qytetarëve ukrainas dhe është i sigurt që pushkët që po i dërgon do të bëjnë ndryshime.
“Populli ukrainas kryesisht ka pasur vetëm armë civile dhe po i bllokon superfuqitë”, thotë ai. “Pra, nuk është problemi se çfarë armësh po përdorin, por se sa kanë vullnet për të luftuar”.
Përktheu: Shukrie Sadiku