Botë

Pritet publikimi i raportit të redaktuar të Muellerit

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së ka njoftuar se më 18 prill, Prokurori i Përgjithshëm, William Barr, do të bëj publik një version të redaktuar të raportit të këshilltarit të posaçëm, Robert Mueller, mbi ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

Barr dhe Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm, Rod Rosenstein, i cili dy vjet më parë e caktoi Mueller-in si këshilltar të posaçëm, do të mbajnë një konferencë për media për të diskutuar të gjeturat e raportit.

Presidenti Donald Trump, i cili ka kritikuar në mënyrë të përsëritur hetimin e Mueller si një "gjueti shtrigash", tha në një intervistë më 17 prill se ai mund të mbajë një konferencë për media pasi prokurori Barr të bëj publik raportin, transmeton REL.

Këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, gjatë periudhës dy vjeçare ka hetuar nëse fushata e presidentit Trump ishte koordinuar ose ka bërë komplot me Rusinë për të fituar zgjedhjet dhe nëse Trumpi apo bashkëpunëtorët e tij tentuan të pengojnë drejtësinë duke u përpjekur të pengonin hetimin.

Raporti 400 faqesh i Muellerit përfundoi më 22 mars dhe prokurori i përgjithshëm, Willam Barr, dy ditë më vonë, i dërgoi Kongresit një përmbledhje të gjetjeve. Në këtë përmbledhje ai tha se hetimi "nuk vërtetoi se anëtarët e fushatës së Trump-it komplotuan ose u bashkërenduan me qeverinë ruse në zgjedhjet e vitit 2016”.

Prokurori gjithashtu tha në raport se provat e zbuluara gjatë hetimit nuk ishin “të mjaftueshme” për të vërtetuar se Trumpi kishte penguar drejtësinë, edhe pse këshilltari Mueller nuk e ka shfajësuar Trumpin.

Ligjvënësit demokratë kanë ushtruar presion për publikimin e raportit në tërësi nga ana e prokurorit Barr.

Kryesuesja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, tha se “Barr e ka larguar kredibilitetin e tij dhe pavarësinë e Departamentit të Drejtësisë me përpjekjen e tij vetanake për të mbrojtur Trumpin”.

Udhëheqësi i demokratëve të Senatit, Chuck Schumer tha se, "procesi është helmuar para se raporti të bëhet publik".

Demokratët kanë shprehur shqetësime se kreu i Departamentit të Drejtësisë, William Barr, i cili ishte emëruar nga Trumpi, po përpiqet të mbulojë gjetjet negative për presidentit.

Megjithatë, prokurori Barr ka thënë se raporti i plotë, me disa redaktime, do të bëhet publik.

Përmbledhja e shkurtër e raportit të cilën ai ia dorëzoi Kongresit nuk kishte detaje se çfarë të gjeturash kishte pasur këshilltari i posaçëm, Mueller për një numër të bashkëpunëtorëve të Trumpit të cilët kishin pasur kontakte të lidhura me Rusinë gjatë fushatës së vitit 2016 dhe periudhën e tranzicionit paszgjedhor.

Ai gjithashtu nuk shpjegoi pse disa prej bashkëpunëtorëve të Trumpit kanë gënjyer hetuesit federalë ose Kongresin gjatë hetimit.