Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar se shkaqet e rrëzimit të avionit ushtarak ku humbën jetën 26 persona, do të investigohen me shpejtësi dhe paanësi.
Avioni transportues ushtarak që kishte kadetë të forcave ajrore, u rrëzua dhe shpërtheu në flakë të premten afër një autostrade në Ukrainën verilindore.
Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës deklaroi se në bord ishin 27 persona, shtatë anëtarë ekuipazhi dhe 20 studentë. Nga ta, vetëm një kadet ia doli të mbijetojë.
"Dje, si shkak i një tragjedie të tmerrshme, Ukraina humbi 26 nga bijtë e saj të denjë. Unë insistoj që shkaqet e kësaj përplasje aeroplani të sqarohen menjëherë dhe që hetimi të jetë objektiv dhe i paanshëm”, shkroi Zelenskiy në Facebook.
Ai e ka shpallur të shtunën një ditë zie, shkruan Reuters.
Avioni ushtarak “Antonov An-26”, u rrëzua derisa përpiqej të ulej gjatë një trajnimi, deklaroi Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, duke potencuar se kutitë me të dhënat e fluturimit ishin gjetur.
Autoritetet e këtij shteti kanë potencuar se kanë hetuar katër shkaqet e mundshme të përplasjes: mosfunksionimi teknik i avionit, reagimi dhe performanca jo adekuate e ekuipazhit, performanca e dobët nga kontrolluesit e fluturimit dhe mirëmbajtja jo e duhur, transmeton KOHA.
Shërbimi i Sigurimit të Shtetit ukrainas ka bërë me dije se avioni u rrëzua pesë minuta para se komandanti i ekuipazhit të kërkonte uljen, pasi motori i majtë i avionit me dy motorë nuk funksionoi.
"Sipas informacionit paraprak, kadetët nuk kontrolluan drejtpërdrejt aeroplanin - të gjitha fluturimet u kryen nga komandanti i ekuipazhit," tha Shërbimi i Sigurimit të Shtetit në një deklaratë të shtunën.