Presidenti bjellorus, Aleksander Lukashenko, është kritikuar nga shtetet fqinje për qasjen e relaksuar ndaj pandemisë.
Bjellorusia ka mbajtur paradën masive ushtarake në shënimin e 75 vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore, me turma me mijëra njerëz, pavarësisht shqetësimeve në rritje lidhur me përhapjen e koronavirusit në ish republikën sovjetike, raporton FT.
Parada e së shtunës, gjatë të cilës kryeqyteti Minsk u vërshua me ushtarë e tanke, është shfaqje e mosbindjes së liderit autoritar Aleksander Lukashenko, i cili vazhdimisht u ka bërë rezistencë thirrjeve të shteteve fqinje dhe organizatave ndërkombëtare për të marrë masa më të ashpra kundër virusit, transmeton KOHA.
Ndonëse Rusia, fqinji lindor i Bjellorusisë, i anuloi paradat e ngjashme pas frikës nga përhapja e infeksioneve, Lukashenko, i cili ka sugjeruar se ngasja e traktorëve, shkuarja në saunë dhe qëndrimi me dhitë janë shërim për Covid-19, ka thënë ai në një fjalim.
“Në këtë botë të çmendur dhe që ka humbur pikat e referencës dhe kornizat e saj, ka njerëz që na dënojnë që kemi zgjedhur këtë vend e këtë kohë për organizimin e kësaj ceremonie të shenjtë”, ka thënë ai, sipas agjencisë bjelloruse së lajmeve, Belta.
“Do të doja t’i thosha si njeri: mos u ngutni të dilni në përfundime apo të na dënoni ne, trashëgimtarëve të kësaj fitoreje, bjellorusëve. Ne nuk mund të vepronim ndryshe, nuk kemi zgjidhje. Edhe nëse do ta kishim këtë, do ta bënim të njëjtën gjë”, ka thënë ai.
Në Moskë, presidenti rus Vladimir Putin nuk e përmendi pandeminë gjatë shënimit të përvjetorit, ndonëse dështimi i Rusisë për parandalimin e përhapjes së COVID-19 ka bërë që ai t’i anulojë planet për paradë të madhe ushtarake dhe që në vend të kësaj të vendosë lule në një monument ushtarak, derisa aeroplanët dhe helikopterët fluturonin mbi qytetin e zbrazët.
Edhe
Dyshime për gjendje të rënduar shëndetësore të Lukashenkos
“Si gjithmonë, do ta festojmë gjerësisht e solemnisht këtë përvjetor, do ta festojmë më dinjitet, siç është detyra jonë për hir të atyre që kanë vuajtur, arritur dhe përmbushur këtë fitore të madhe”, ka thënë Putin.
Bjellorusia, që bashkë me Suedinë janë shtetet e vetme evropiane që nuk janë futur në karantinë për ta luftuar koronavirusin, ka regjistruar 21.101 raste të të infektuarve dhe 121 të vdekur, sipas të dhënave të universitetit Johns Hopkins.
Rusia është përballur me 10.000 raste të reja me koronavirus në javën e kaluar, që e ka çuar numrin total në 200.000. Ky shtet e ka rritjen më të shpejtë të rasteve të regjistruara pas Shteteve të Bashkuara.