Në Varshavë, dhjetëra mijëra njerëz iu përgjigjën të hënën thirrjes së grupeve nacionaliste, duke marshuar me rastin e ditës së pavarësisë së vendit.
Marshuesit thërrisnin “Zot, nder, atdhe!” dhe “jo, Bashkimit Evropian!”, duke mbajtur pishtarë dhe ndezur fishekzjarre. E gjithë zona u mbulua me një re tymi ku dominonin ngjyrat e kuqe dhe të bardha kombëtare.
Një grup më i vogël protestuesish këndonin “Bella ciao”, himnin italian të rezistencës antifashiste.
Marshimi i ditës së pavarësisë ka ardhur duke u rritur në përmasa që kur partia nacionaliste Ligj dhe Drejtësi (PiS) erdhi në pushtet në vitin 2015. PiS fitoi një mandat të dytë muajin e kaluar me 44% të votave.
Partia ka bërë thirrje për një ringjallje të vlerave nacionaliste dhe katolike si dhe për një refuzim të liberalizmit perëndimor.
Edhe
Normalizimi i politikave të së djathtës ekstreme në Poloni
“Ne duhet të kthehemi në rrënjët tona. Bota jonë ka braktisur Zotin dhe Krishterimin,” tha Robert Bakiewicz, një nga organizatorët e marshimit, para turmave në qendër të Varshavës. “Ne do të vdesim ashtu siç po vdesin kombet e Evropës perëndimore,” tha ai.
Më 11 nëntor, polakët shënojnë fundin e Luftës së Parë Botërore, e cila ishte gjithashtu fundi i 123 viteve të pushtimit nga Rusia cariste, Prusia dhe perandoria Austro-Hungareze/VOA.