Botë

Po rriten rastet me salmonellë në Evropë si pasojë e produkteve “Kinder”

Mbi 100 raste me salmonellë në Evropë janë raportuar, ndërsa dyshohet se shkaktarë janë produktet “Kinder”, njofton gazeta “Blick”.

Në total janë konfirmuar deri tash 105 raste, ndërsa janë edhe 29 raste të dyshuara.

Gjermania, Britania e Madhe, Belgjika, Franca, Irlanda, Luksemburgu, Holanda, Norvegjia e Suedia kanë raportuar raste.

Shumica e të prekurve janë nën moshën dhjetëvjeçare, siç kanë njoftuar autoritetet e BE-së.

AUV të mërkurën ka hequr nga tregu produktet “Kinder”, pas njoftimit të marrë nga sistemi RASFF i BE-së.

Zëdhënësi i AUV-it, Lamir Thaçi, në emisionin “SOT” të KTV-së, ka thënë se AUV-i ka vepruar me shpejtësi dhe ka hequr produktet, ndërsa do të verifikohen lotet. Ai sërish ka përsëritur thirrjen e AUV-it bërë konsumatorëve që të mos i përdorin produktet e caktuara “Kinder”, dhe nëse i kanë blerë ato të i kthejnë te vendi ku i kanë blerë.