Demokratët janë duke përgatitur përgjigje të shpejtë ndaj reagimeve në media sociale teksa po i bëjnë gati edhe thirrjet për durim dhe qetësi në rast se kandidati republikan Donald Trump përpiqet të pretendojë para kohe fitoren e zgjedhjeve, siç bëri në vitin 2020, thanë për Reuters zyrtarë të fushatës së kandidates demokrate, Kamal Harris.
Kandidati republikan u tha gazetarëve këtë javë se shpresonte të ishte në gjendje të shpallte fitoren në ditën e zgjedhjeve, megjithëse ekspertët kanë paralajmëruar se mund të duhen disa ditë që rezultati përfundimtar të dihet, veçanërisht nëse ka kërkesa për rinumërim të votave në disa shtete kyçe.
Trumpi është i përfshirë në një garë të ngushtë me rivalen demokrate.
Fituesit e zgjedhjeve në SHBA zakonisht shpallen nga mediat kryesore që analizojnë numërimin e votave të ofruara nga zyrtarët zgjedhorë.
Ndonjëherë kandidatët deklarojnë fitoren përpara rezultateve përfundimtare, por është e pazakontë të bëhet ky hap para se fituesi të jetë dukshëm më përpara me vota.
“Fatkeqësisht, neve na duhet të përgatitemi dhe jemi gati, në rast se Trumpi përpiqet ta manipulojë shtypin dhe popullit amerikan. Jemi të përgatitur t’i përgjigjemi”, ka thënë kandidatja demokrate Harris.
Ajo nuk dha detaje për këto përgatitje, por thuhet se ekipi i Harrisit do të bëjë thirrje në mediat sociale dhe televizione që t’i deklarojnë fitoret vetëm pasi të jenë numëruar të gjitha votat.
Në vitin 2020, Trumpi e shpalli veten fitues në orët e hershme të mëngjesit pas ditës së zgjedhjeve, tre ditë përpara se rrjetet televizive të jepnin vendimin përfundimtar. Trumpi humbi ndaj demokratit Joe Biden, por kurrë nuk e ka pranuar rezultatin dhe vazhdon të pohojë se ka humbur për shkak të manipulimit me vota.