Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Personalitetet e vitit 2022: Joe Biden – Presidenti me vit të mbarë

Në historinë politike moderne të Shteteve të Bashkuara pak presidentë ia kanë dalë të kenë vit të dytë të mbarë, sikurse demokrati Joe Biden.

Kur nisi viti 2022, Bideni gëzonte 43 për qind të përkrahjes popullore – shtatë pikë më pak se në gushtin e vitit 2021. Me ngritjen e inflacionit pas luftës në Ukrainë dhe ekonomisë në rënie, demokratët nën Bidenin ia dolën të ruanin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve në zgjedhjet e mesmandatit në nëntor, duke zbehur gjasat për një reprizë dueli në zgjedhjet e vitit 2024 me Donald Trumpin, i cili u sulmua edhe nga bashkëpartiakë se nuk ua solli republikanëve fitoren e dyfishtë për kontrollin e Kongresit.

Mbase më e rëndësishmja për Bidenin është se ia doli t’i mbante rreth vetes demokratët me konsolidimin e mbështetjes partiake për presidencialet e vitit 2024.

Bideni ishte mbështetësi më i madh i Ukrainës në luftën kundër Rusisë, duke ofruar përkrahje të parezervë në furnizimin me armë të sofistikuara, përfshirë edhe sistemin raketor “Patriot”. E, në vizitën e parë jashtë vendit pas shpërthimit të luftës, presidenti ukrainas qëndroi në Shtëpinë e Bardhë.