Qëndrimi në Moskë në ditën e dëbimit të diplomatëve evropianë, ka nxitur thirrjet për dorëheqjen e shefit të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josef Borrell. Kjo e ka shtyrë Komisionin Evropian që ta mbrojë Borrellin, duke pretenduar se Rusia është vënë në shteg të konfrontimit
Gjermania, Polonia dhe Suedia kanë dëbuar të hënën tre diplomatë rusë në kundërpërgjigjen e koordinuar ndaj Rusisë për shkak të masës së ngjashme kundër përfaqësuesve diplomatikë të Bashkimit Evropian javën e shkuar, në kohën kur shefi i Politikave të Jashtme i bllokut, Josef Borrell, ndodhej për vizitë në Moskë.
Kundërpërgjigjja e bllokut i reflekton marrëdhëniet e brishta Lindje-Perëndim dhe përbën gërryerjen e besimit mes armiqve të dikurshëm të Luftës së Ftohtë, kurse Perëndimi ka akuzuar Moskën se po përpiqet që ta destabilizojë, derisa Kremlini ka hedhur poshtë atë që e konsideron si ndërhyrje të jashtme.
Veprimi i javës së shkuar i Moskës zyrtare ka shkaktuar kokëçarje për Borrellin, i cili është kritikuar rreth udhëtimit të tij në Rusi. Ekzekutivi i BE-së ka mbrojtur Borrellin për sa i përket qëndrimit në Rusi, ku ai ka thënë të jetë informuar rreth dëbimit të diplomatëve nëpërmjet mediave sociale, derisa ishte duke folur me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, në Moskë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të hënën se largimi prej vendit i diplomatëve nga Gjermania, Polonia dhe Suedia, nën akuzën për pjesëmarrje në protestat ndaj burgosjes së kritikut të Kremlinit, Alexei Navalny, ka ndodhur një ditë para vizitës së Borrellit.
Zyra e Jashtme e Gjermanisë, në një deklaratë rreth dëbimit të diplomatit rus nga vendi, ka bërë të ditur se diplomati gjerman në Rusi “vetëm po e kryente detyrën e tij për të raportuar rreth zhvillimeve”. Suedia ka mbrojtur qëndrimin e Gjermanisë, duke e quajtur vendimin e Moskës për dëbim si “të papranueshëm”.
Ministria e Jashtme e Polonisë ka bërë të ditur të ketë urdhëruar një pjesëtar të Konsullatës ruse në qytetin Poznan që të largohet nga vendi “në përputhje me parimin e reciprocitetit dhe në koordinim me Gjermaninë dhe Suedinë”.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ka thënë për televizionin shtetëror se veprimet e tri vendeve të BE-së janë “të pajustifikuara, jomiqësore dhe vazhdimësi e veprimeve të njëjta të Perëndimit kundër vendit, që kualifikohen ndërhyrje në çështjet e brendshme”.
Në një blog të publikuar të dielën, Borrelli kishte thënë se kërkesa e tij adresuar Rusisë për të sprapsur dëbimet ishte anashkaluar. Ish-shefi i Mbrojtjes i Estonisë, Riho Terras, tani ligjvënës i BE-së, e ka nisur fushatën për ta kërkuar dorëheqjen e Borrellit. Por ekzekutivi i Komisionit Evropian ka bërë të ditur se nuk pendohet rreth vizitës së Borrellit në Moskë, pasi që Rusia është vënë në shteg të konfrontimit.
“Udhëtimi ishte i domosdoshëm. Nuk duhet hequr dorë prej një udhëtimi, ngase është i zorshëm”, ka thënë zëdhënësi i Komisionit, Eric Mamer. “Një udhëtim nuk konsiderohet i suksesshëm apo dështim bazuar në atë çfarë ndodh në një moment të caktuar”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se zyrtarët rusë “nuk ishin iniciatorë të kolapsit në marrëdhënie”.
Borrelli do t’i adresohet të martën Parlamentit Evropian, i cili ka bërë thirrje për sanksione me qëllim të stopimit të projektit të gazsjellësit “Nord Stream 2” midis Rusisë dhe Gjermanisë. Disa vende të BE-së tani kanë intensifikuar iniciativën për sanksione perëndimore kundër Perëndimit, kanë thënë dy diplomatë.
Polonia ka thirrur një videokonferencë dyorëshe me vendet e BE-së të hënën, në të cilën kanë marrë pjesë emisarë nga Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja dhe Ukraina, si dhe dy aleatë të Navalnyt – Vladimir Ashurkov dhe Leonid Volkov – për të diskutuar rreth politikave me Rusinë, përfshirë sanksionet.
Navalny ishte arrestuar më 2 shkurt në Moskë, pasi që një gjykatë ruse vendosi se ai ka shkelur rregullat e lirisë me kusht për rastin e përvetësimit të fondeve, gjatë kohës sa qëndroi në Gjermani për shërim nga helmimi me agjentin nervor “Novichok”. \ AP