Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kërcënimi për shkëputje të marrëdhënieve vë Rusinë e BE-në në udhëkryq të ri

Presioni për sanksione është shtuar qëkur Moska zemëroi vendet evropiane javën e shkuar me dëbimin e diplomatëve nga Gjermania, Polonia dhe Suedia pa e njoftuar paraprakisht shefin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josef Borrell, i cili po në ditën e vendimit ndodhej për vizitë në Rusi. Parisi dhe Berlini zyrtar kanë insistuar që veprimi të mos ngelet pa përgjigje

Moskë, 12 shkurt (AP) – Rusia ka bërë të ditur të premten se do të ishte e gatshme për t’i shkëputur krejtësisht marrëdhëniet me Bashkimin Evropian po qe se blloku i vendos sanksione të reja dhe të rënda ekonomike vendit, teksa këtë deklaratë Gjermania, si fuqia prijëse e Evropës, e përshkroi si zhgënjyese dhe të papranueshme.

Marrëdhëniet midis Rusisë dhe Perëndimit janë vënë nën presion të shtuar shkaku i arrestimit dhe burgosjes së kritikut kryesor të Kremlinit, Alexei Navalny. Mirëpo përkeqësimit më të rëndë të relacioneve i hapi rrugë vendimi i Moskës për t’i dëbuar nga Rusia tre diplomatë evropianë. Si pasojë e kësaj, BE-ja ka paralajmëruar gjatë fillimit të javës se është e gatshme që t’u zbatojë ndalesa udhëtimi dhe ngrirje të pasurisë aleatëve të presidentit, Vladimir Putin, mbase qysh deri në fund të këtij muaji.

Presioni për sanksione është shtuar qëkur Moska zemëroi vendet evropiane javën e shkuar me dëbimin e diplomatëve nga Gjermania, Polonia dhe Suedia pa e njoftuar paraprakisht shefin e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josef Borrell, i cili po në ditën e vendimit ndodhej për vizitë në Rusi. Parisi dhe Berlini zyrtar kanë insistuar që veprimi të mos ngelet pa përgjigje.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është pyetur të premten në një intervistë të publikuar në ueb faqen e ministrisë nëse Moska ka ndërmarrë ndonjë veprim lidhur me shkëputjen e marrëdhënieve me BE-në.

“Nisemi nga fakti se jemi të gatshëm (për ta bërë këtë gjë). Në rast se përballemi përsëri me sanksione në disa sektorë që krijojnë risqe në ekonominë tonë, përfshirë në sferat më të ndjeshme”, ka thënë Lavrovi. “Nuk duam që të izolohemi nga jeta globale, por duhet të jemi të gatshëm për këtë. Nëse doni paqe, atëherë përgatituni për luftë”.

Një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane ka thënë se “këto deklarata janë përnjëmend zhgënjyese dhe krejtësisht të papranueshme”.

Edhe Gjermania e quan “zhgënjyes” kërcënimin rus për shkëputjen me BE-në Botë Gjermania e quan “zhgënjyes” kërcënimin rus për shkëputjen me BE-në

Kremlini ka ofruar një interpretim më të butë të fjalëve të Lavrovit, të premten në mbrëmje. Në versionin e tij thuhet se Rusia dëshiron të krijojë marrëdhënie me BE-në dhe jo t’i shkëpusë, porse Moska ndien se duhet të jetë e gatshme për faktin se Brukseli do të ndërmarrë hapa për shkëputjen e marrëdhënieve.

“Nëse BE-ja ia mësyn këtij shtegu, atëherë po, duhet të jemi të gatshëm, ngase duhet të jeni të gatshëm për më të keqen”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, para gazetarëve.

Më vonë, Ministria e Jashtme ka bërë të ditur se Moska do të jetë e gatshme për t’i shkëputur marrëdhëniet po qe se Brukseli e inicion një shkëputje të tillë, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve RIA.