Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Përkeqësohet protesta e bujqve në Bruksel, por pati efekt

Bujqit kanë ndezur zjarre dhe kanë hedhur fishekzjarrë në drejtim të ndërtesës së Parlamentit Evropian duke përkeqësuar protestën për çmimet e larta, rregullat dhe burokracinë për produktet bujqësore.

Bujqit ia kanë mësyrë ndërtesës së Parlamentit Evropian në kohën kur liderët e BE-së po merrnin pjesë në samitin e muajit janar.

Me këtë protestë, bujqit po bëjnë përpjekje që qeveria të lëshojë pe dhe të ofrojë çmime më të mira për produktet bujqësore dhe të ketë më pak procese burokratike.

Protesta me traktorë janë mbajtur edhe në Francë dhe Itali.

Bujqit belgë kanë kritikuar qeverinë për marrëveshjet tregtare me Kilin dhe Zelandën e Re.

Ata kanë insistuar se tregjet e Belgjikës janë mbushur me produkte me kualitet më të dobët nga këto dy shtete dhe se ata janë duke punuar me humbje.

Bujqit protestues në Bruksel kanë insistuar se protesta do të jetë paqësore dhe forcat e sigurisë nuk e kanë trajtuar me shumë seriozitet deri të enjten kur ajo është përkeqësuar.

Mirëpo reagimi i tyre kishte efekt, pasi BE-ja ka prezantuar planin për mbrojtjen e bujqve evropianë nga eksporti i lirë nga Ukraina dhe shtetet e tjera.

Komisioni Evropian gjithashtu ka lejuar bujqit që të punojnë tokat të cilat deri më tani kanë qenë djerrinë për arsye mjedisore.

Artikuj të ngjashëm