Është ngritur zemërimi i Perëndimit dhe Bashkimi Evropian ka kërcënuar me sanksione të reja ndaj Bjellorusisë, shkaku i devijimit të një aeroplani me qëllim të arrestimit të një gazetari disident.
Zhvillimi dramatik i urdhëruar nga diktatori Aleksandër Lukashenko për të shtypur pakënaqësinë është dënuar si pirateri, rrëmbim dhe terrorizëm shtetëror. Kompania ajrore “Ryanair” ka bërë të ditur se kontrollorët bjellorusë i kishin thënë ekuipazhit se kishte një kërcënim me bombë ndaj aeroplanit derisa po përshkonte hapësirën ajrore të vendit, duke e detyruar atë që të aterronte në Minsk.
Një bombardues bjellorus MiG-29 e ka përcjellë aeroplanin në atë që është konsideruar fryrje e muskujve nga diktatori Lukashenko, që për një çerekshekulli e sundon vendin me grusht të hekurt. Qëllimi ishte arrestimi i Roman Prataseviqit, gazetarit dhe aktivistit 26-vjeçar që drejtonte një aplikacion mesazhesh që kishte luajtur rol kyç gjatë organizimit të protestave masive kundër liderit autoritar.
Aeroplani ishte nisur nga Greqia në drejtim të Lituanisë. Zyrtarët policorë bjellorusë kanë tmerruar pasagjerët gjatë arrestimit të Prataseviqit dhe të dashurës së tij menjëherë pas aterrimit të detyruar. Nuk dihet se ku po mbahen. Sekretari amerikan i Shtetit, Antoni Bllinken, e ka cilësuar si tronditës aksionin bjellorus.
Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian nuk i kanë përjashtuar sanksione shtesë kundër Bjellorusisë, ka konfirmuar presidenti i Këshillit Evropian, Charles Mishel. Ai e ka quajtur skandal ndërkombëtar devijimin e drejtimit të aeroplanit.
Ministri i Jashtëm i Irlandës ka thënë se Bjellorusia ka kryer të dielën pirateri shtetërore. Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar “rrëmbimin” e aeroplanit, derisa presidenti lituan e ka quajtur “akt terrorist të sponsoruar nga shteti bjellorus”.
-
SHBA-ja akuzon katër zyrtarë të Bjellorusisë për pirateri të avionëve
-
“Diktatori i fundit i Evropës” ia ngrit pazarin Perëndimit
-
Bjellorusia i cilëson sanksionet e Perëndimit si shpallje të “luftës ekonomike”
-
Perëndimi godet Bjellorusinë me sanksione shtesë për “pirateri”
-
BE-ja pajtohet për sanksione të reja kundër Bjellorusisë