Grupi militant Hamas, nëpërmjet një zyrtari, ka bërë të ditur se nuk do t’i lirojë pengjet izraelite, derisa të arrihet një armëpushim.
Sipas deklaratës që zyrtari i Hamasit, Abu Hamid, i ka dhënë gazetës ruse “Kommersant”, grupit i duhet kohë për t’i gjetur pengjet e dërguara në Gaza nga fraksione të ndryshme palestineze, më 7 tetor, ditën kur Hamasi sulmoi Izraelin.
Hamid, që thuhet se është anëtar i një delegacioni të Hamasit që shkoi në Moskë të enjten, ka theksuar se grupi, qysh në ditët e para pas nisjes së konfliktit, ka njoftuar se ka për synim t’i lirojë të burgosurit civilë.
Sipas tij 50 prej pengjeve janë vrarë nga sulmet ajrore izraelite në Gaza.
Vizita e delegacionit të Hamasit në Moskë është parë si përpjekje e Rusisë për të treguar se nuk do të qëndrojë anash konfliktit.
Sipas Izraelit, më shumë se 220 pengje mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës pasi u kapën gjatë sulmit të grupit palestinez më 7 tetor.
Hamasi liroi të hënën dy gra të moshuara civile izraelite nga enklava e rrethuar pas lirimit të dy robërve me shtetësi të dyfishtë amerikano-izraelite të premten e kaluar.
Përpjekjet ndërmjetësuese mes dy palëve për robërit po udhëhiqen nga Egjipti dhe Katari.
Më shumë se 7 mijë palestinezë, duke përfshirë të paktën 2.913 fëmijë, janë vrarë nga sulmet izraelite që synojnë Gazën që nga 7 tetori.
Më shumë se 1.400 persona u vranë në sulmin e Hamasit ndaj Izraelit, i cili filloi më 7 tetor dhe thuhet se përfundoi një ditë më vonë. / Al Jazeera