Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pence insiston se SHBA-ja duhet ta vazhdojë përkrahjen për Ukrainën

Mike Pence

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Mike Pence, ka realizuar vizitën e befasishme në Ukrainë dhe ka udhëtuar në qytetet e shkatërruara nga lufta me Rusinë. Pence, i cili këtë muaj ka nisur fushatën për nominimin presidencial nga republikanët, ka qenë kritik i madh i pushtimit të Ukrainës nga forcat e presidentit Vladimir Putin.

Pence i ka bërë thirrje vendit të vet që ta ndihmojë edhe më shumë Ukrainën me armatim dhe ka kritikuar rivalët e tij republikanë që kanë vënë në dyshim përfshirjen e SHBA-së, duke thënë se nuk ka hapësirë për përkrahësit e Putinit.

Ai ka insistuar se SHBA-ja duhet të ketë edhe më shumë rol në skenën botërore duke kundërshtuar republikanët që kanë thënë se SHBA-ja duhet të ketë rol më të kufizuar.

Pence ka qëndruar në Ukrainë për 12 orë. Përveç takimit me presidentin Zelensky, ish-zëvendëspresidenti amerikan është njoftuar për krimet e luftës që ka kryer Rusia, duke tjetërsuar fëmijët ukrainas.

Ky ishte udhëtimi i dytë i Pence në rajon. Në marsin e vitit 2022, ai vizitoi kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë. Gjatë këtij udhëtimi ai shpërndau ndihma për refugjatët që po iknin nga pushtimi rus i Ukrainës.