Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pekini i paraqet ankesë zyrtare SHBA-së për çështjen tajvaneze

Qeveria kineze i ka paraqitur një ankesë zyrtare SHBA-së lidhur me çështjen e ishullit të Tajvanit, njofton CRI-ja.

Geng Shuang, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze, deklaroi se Pekini i ka shprehur Uashingtonit pakënaqësinë e tij, lidhur me pjesëmarrjen e zyrtarëve amerikanë në ceremoninë e përurimit të ndërtesës së re të Institutit Amerikan në Tajvan.

“Ne jemi shumë të shqetësuar nga këto njoftime dhe i kemi shprehur SHBA-së pakënaqësinë tonë. Duhet të bëjmë të qartë se dërgimi i zyrtarëve të SHBA-së në Tajvan, sipas çfarëdolloj preteksti, është një shkelje e rëndë e parimit të ‘Një Kine të vetme’ dhe të tre komunikatave të përbashkëta kino-amerikane, që përbëjnë një ndërhyrje në çështjet e brendshme të Kinës dhe shkaktojnë një ndikim negativ në marrëdhëniet kino-amerikane”, thuhet në reagimin e Kinës.

Zyrtarët kinezë deklaruan se një veprim i tillë minon paqen dhe stabilitetin përgjatë brigjeve të ngushticës së Tajvanit dhe i bënë thirrje palës amerikane të mbajë premtimet e saj lidhur me çështjen e Tajvanit.