Parlamenti Evropian ka miratuar raportin me të cilin rekomandohet pranimi i Bullgarisë dhe Rumanisë në zonën Shengen.
Ndërkaq, kur është fjala për Kroacinë thuhet se edhe ajo i plotëson kushtet, por nga Zagrebi kërkohet evitimi i mangësive në aftësimin e personelit në kufi dhe të ‘respektojë të drejtat themelore’.
Për rezolutën kanë votuar 505 euro-deputetë, kundër ishin 134, ndërsa nga votimi kanë abstenuar 54. Rumania e Bullgaria i kanë plotësuar të gjitha kushtet për t’u bërë pjesë e zonës së Shengenit, por kjo nuk mund të thuhet edhe për Kroacinë e cila ndërkohë, sipas rezolutës së miratuar këtë të enjte, duhet të adresojë mangësitë e konstatuara kur është fjala për aftësimin e personave të punësuar nëpër vendkalimet kufitare si dhe ‘të jetë e vendosur në vlerësimin bazik të respektimit të të drejtave themelore’ nga nëpunësit kufitarë, raporton Klan Maqedonia.
Parlamenti Evropian vlerëson se duhet vazhduar lëvizja e lirë në kuadrin e zonës Shengen që u ndërpre për shkak të pandemisë së koronavirusit. Anëtarë të kësaj zone janë të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, me përjashtim, të Kroacisë, Bullgarisë dhe Rumanisë, por edhe katë shtete që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian – Islanda, Norvegjia, Zvicra dhe Lihtenshtajn