Paul Kagame ka dhënë betimin, për herë të tretë, për t’u bërë President i Ruandës, pasi që fitoi zgjedhjet me 98.79 për qind të votave, transmeton KTV.
59-vjeçari mbajti fjalimin e tij inaugurues, pasi që dha betimin dhe parakaloi para forcave ushtarake në stadiumin nacional Amahoro në kryeqytetin Kigali.
Shefi i drejtësisë së Ruandës, Sama Rugege, administroi betimin e presidentit, ndërsa ngjarja u përcoll nga liderë të shumë shteteve afrikane.
Në fjalimin e tij, Kagame u shpreh që është mirënjohës që sërish u rizgjodh president i vendit. Ai tha që Ruanda do të vazhdojë të krijojë aleatë të rinj dhe të ruajë bashkëpunimin me shtetet tjera.
Kagame, i cili është kryetar i Frontit Patriotik të Ruandës, në mandatin e tretë të tij si president, është ngarkuar me ngritjen e kapaciteteve të industrisë dhe agrikulturës së vendit dhe me zbutjen e papunësisë dhe varfërisë.