Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Pas rritjes së taksave për mallrat kineze, SHBA pret kundërmasa nga Kina

Foto: Reuters

SHBA pret kundërmasa nga ana e Kinës për shkak të rritjes së taksave doganore për mallrat kineze, pasi negociatat e të dy palëve në Washington kanë përfunduar pa një marrëveshje mbi tregtinë, ka thënë këshilltari kryesor ekonomik i Presidentit Donald Trump.

“Presim kundërmasa, të cilat ende nuk janë realizuar. Ndoshta do të dimë më shumë sot, sonte ose nesër”, tha Larry Kudlow për Fox News.

Ai gjithashtu tha se mund të kalojnë muaj para hyrjes në fuqi të rritjes së taksave të SHBA-së mbi importet e mallrave kineze.

“Ndoshta disa muaj. Ndoshta tre muaj. Nuk e di. Do të duhet pak kohë dhe pastaj presidenti duhet të marrë vendimin përfundimtar”, tha Kudlow.

Të premten, SHBA rriti taksën nga 10 në 25 për qind për importimin e mallrave kineze me vlerë 200 miliardë dollarë, pasi zyrtarët amerikanë akuzuan Pekinin se nuk po përmbush angazhimet e caktuara në raundet e mëparshme të negociatave./ksp