Parlamenti Evropian ka mbështetur sot amendamentin për vendosjen e sanksioneve ndaj anëtarit të Presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Milorad Dodik, ka bërë të ditur portali Klix.
Amendamenti mori mbështetje të madhe në këtë institucion evropian. Për votuan 504 deputetë, 93 ishin kundër dhe 72 abstenuan.
Parlamenti Evropian dënoi synimet dhe lëvizjet secesioniste të Dodikut dhe i bëri thirrje Këshillit Evropian të vendosë sanksione ndaj tij dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Dodik ka kohë që ka marrë iniciativa të ndryshme për të zhbërë shtetin e Bosnjës dhe për të pavarësuar Republika Srpskan. Ai ka paralajmëruar ndër të tjera edhe formimin e ushtrisë së kësaj krahine.
Dodik, pas vendimit të Parlamentit Evropian, ka thënë se nuk do të ndalet.
“Askush nuk erdhi në Republika Srpska për të parë se për çfarë bëhet fjalë. Dhe çka është më e keqja, asnjë nga ata deputetë që ngritën duart sot, nuk e shikoi Kushtetutën e Bosnjës, e disponueshme në internet, sepse po ta bënin, nuk do të merrnin pozicionet që morën dhe as kualifikimet që u dëgjuan”, tha Dodik, përcjell Klix. “Në vend që të përpiqeshin të flisnin me ne, ata vendosën të flisnin për ne. Në kushte të tilla, është e qartë se qëndrimet e parlamentit nuk mund të ishin ndryshe. Me gjithë respektin e duhur për institucionet evropiane, nuk kam ndërmend të heq dorë nga aktivitetet e ligjshme dhe legjitime në mbrojtje të Republikës Srpskas”.