Hungaria nuk mund të konsiderohet më një demokraci e plotë, ka thënë Parlamenti Evropian në një votim simbolik kundër qeverisë së Viktor Orbanit, shkruan të enjten “The Guardian”.
Në një rezolutë të mbështetur nga 81 për qind e deputetëve të pranishëm, parlamenti deklaroi se Hungaria është bërë një “regjim hibrid i autokracisë zgjedhore”, duke përmendur prishjen e demokracisë, mosrespektimin e të drejtave themelore dhe të shtetit të së drejtës.
Siç raportohet, ky votim nuk ka ndonjë efekt praktik, por rrit presionin ndaj autoriteteve të Bashkimit Evropian në Bruksel për të mos dhënë miliarda para të gatshme të BE-së për Hungarinë.
Duke iu përgjigjur votimit, zëdhënësi kryesor i Hungarisë, Zoltan Kovacs, tha se Parlamenti Evropian “do të bënte më mirë të fokusohej në çmimet e energjisë që janë trefishuar dhe katërfishuar për shkak të sanksioneve të dështuara”, duke ripërsëritur kritikën e qeverisë së tij ndaj masave kufizuese të BE-së kundër Rusisë.