Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Papa Françesku për Krishtlindje: Bota po vuan nga uria e paqes

Në mesazhin e tij të Krishtlindjes të dielën, Papa Françesku ka bërë thirrje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe konflikteve të tjera, duke thënë se bota po vuan nga një “uri e paqes”.

Ai u kërkoi gjithashtu njerëzve të ndihmojnë të pastrehët, emigrantët, refugjatët dhe të varfrit në mes kërkimit të rehatisë, ngrohtësisë dhe ushqimit, shkroi të dielën Reuters.

"Le të shohim fytyrat e të gjithë atyre fëmijëve që kudo në botë dëshirojnë paqen. Le të shohim gjithashtu fytyrat e vëllezërve dhe motrave tona ukrainase që po përjetojnë këtë Krishtlindje në errësirë ​​dhe të ftohtë, larg shtëpive të tyre për shkak të shkatërrimit të shkaktuar nga dhjetë muaj lufte," tha ai, duke folur para dhjetëra mijëra njerëzve nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit.

Këtë mesazh ai e dha vetëm disa orë pasi sirenat e sulmit ajror zhurmuan në të gjithë Ukrainën dhe një ditë pasi Kievi njoftoi se një sulm rus në Kherson së fundmi vrau të paktën pesë persona dhe plagosi 35 të tjerë të shtunën.

“Zoti na frymëzoftë që të ofrojmë gjeste konkrete solidariteti për të ndihmuar të gjithë ata që vuajnë, dhe le të ndriçojë mendjet e atyre që kanë fuqinë të shuajnë bubullimën e armëve dhe t'i japin fund të menjëhershëm kësaj lufte të pakuptimtë”, ka thënë Françesku.

Sipas tij, lufta në Ukrainë nuk duhet të zvogëlojë shqetësimin për njerëzit, jetët e të cilëve janë shkatërruar nga konflikte të tjera ose kriza humanitare, duke përmendur ndër të tjera, Sirinë, Birmaninë, Iranin, Haitin dhe rajonin Sahel të Afrikës.