Në Arequipa të Perusë, vetëvrasja e Javier Vilcas, një pacient që vuante nga COVID-19, u bë lajm i ballinave në qytetin me 1 milion banorë. E veja thotë se vdekja e tij ishte protestë ndaj kushteve të rënda me të cilat po përballen të infektuarit me koronavirus në vend
Në ditën e fundit të jetës së Javier Vilcas bashkëshortja qëndronte jashtë, te dritaret e spitalit. Në duar mbante një arush, balona të kuq dhe një kuti me çokollata për të festuar ditëlindjen e tij. Kishte edhe një letër gjigante, në të cilën me dorë të sajën kishte shkruar: “Mos u dorëzo! Je burri më i mirë në botë!”.
Pak minuta më vonë Vilca, 43-vjeçar, gazetar radioje që kishte hasur në shumë vështirësi dhe i cili vuante nga depresioni, kërceu drejt vdekjes nga kati i katërt. Qe kjo vetëvrasja e pestë e pacientëve të infektuar me koronavirus që po ndodhte qysh nga fillimi i pandemisë në spitalin e stërngarkuar me pacientë “Honorio Delgado” të Perusë.
Vilca u bë një tjetër simbol i dëshpërimit të shkaktuar nga koronavirusi dhe pabarazisë së shpërfaqur nga COVID-19, kur të enjten është shënuar bilanci prej plot 4 milionë të vdekurve.
Në spitalin ku Vilca vdiq më 24 qershor, një mjek i vetëm dhe tri infermiere vraponin rreth e përqark për të trajtuar 80 pacientët. Në njërën prej dhomave të stërngarkuara Vilcas po i merrej fryma nga mungesa e madhe e oksigjenit në bombolën përskaj.
“Më premtoi se do t’ia dilte”, thotë Nohemí Huanacchire, teksa fshin me duar arkivolin e tij në shtëpinë pa furnizim me rrymë në periferi të Arequipas, qyteti ky i dytë më të madh në Peru. “Por kurrë nuk do ta shoh më”.
Edhe
Rreth 70 mijë persona rezultojnë të zhdukur pas tërmeteve në Venezuelë
Bilanc i zymtë
Numri i të vdekurve përreth botës në këtë një vit e gjysmë është i barabartë me popullsinë e Los Angelesit ose të shtetit të Gjeorgjisë. Është trefish më i lartë sesa numri i viktimave në aksidentet e trafikut që ndodhin gjatë një viti. Nga vlerësime të tjera, është numri i njëjtë me atë të të vrarëve në luftërat e krejt botës që prej vitit 1982 e këtej.
Mirëpo numri i të vdekurve besohet se është edhe më i lartë për shkak të rasteve të pakonfirmuara dhe të fshehura.
Më shumë se gjashtë muaj pas zhvillimit të vaksinave të para kundër koronavirusit bilanci i vdekjeve të raportuara kishte rënë në 7 mijë e 900 në ditë, ndërkaq në muajin janar shifra më e lartë ditore ishte 18 mijë në ditë. Organizata Botërore e Shëndetësisë regjistroi vetëm 54 mijë të vdekur gjatë javës së kaluar. Kjo është shifra më e ulët që prej tetorit që shkoi.
Në periudhën kur procesi i vaksinimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë është përshpejtuar për të ringjallur euforinë e normalitetit dhe fëmijët po vaksinohen me qëllim që të nisin shkollën, numri i rasteve në disa pjesë të Amerikës Latine është ende shumë i lartë. Ngjashëm është edhe në Azinë Juglindore. Afrika është pa mburojë, për shkak të mungesës së madhe të dozave të vaksinës.
Betejë e vështirë
Beteja është rënduar me përhapjen e variantit shumë të rrezikshëm Delta. Ka alarmuar shtetet dhe është shndërruar në një luftë për vaksina.
Varianti është konfirmuar në së paku 96 shtete. Australia, Izraeli, Malajzia, Hong-Kongu dhe shtete të tjera kanë nisur izolimet e ndryshme për të parandaluar përhapjen e madhe.
Variantet, pabarazia në vaksina dhe lirimi i masave për mbrojtje në disa shtete të pasura janë “kombinim toksik shumë i rrezikshëm”, ka tërhequr vërejtjen Ann Lindstrand, zyrtare e imunizimit në OBSH.
Në vend që kriza të trajtohet si problem “i imi dhe i shtetit”, thotë ajo, “ne duhet të jemi më seriozë, sepse ky është një problem botëror dhe ka nevojë për zgjidhje botërore”.
Teksa Shtetet e Bashkuara nuk kanë arritur që të realizonin qëllimin e presidentit Joe Biden për vaksinimin e 70 për qind të amerikanëve të rritur deri më 4 korrik, numri i vdekjeve ka rënë në 200 në ditë, ndërkaq në muajin janar mesatarisht kishte 3 mijë e 400 të vdekur në ditë.
Në anën tjetër, ekonomia amerikane është ngritur me të madhe. Suksesi i saj është parashikuar se do të jetë më i shpejti në shtatë dekadat e fundit. Edhe anijet e turistëve kanë nisur lundrimet pas më shumë se një viti me spirancën e lëshuar nëpër porte.
Në Britani me gjithë frikën nga varianti delta, kryeministri Boris Johnson planifikon të heqë të gjitha masat më 19 korrik. Britania gjatë kësaj jave regjistroi më shumë se 30 mijë raste në ditë, për herë të parë që prej muajit janar.
Mijëra fansa të futbollit në disa qytete evropiane janë lejuar të ndjekin në stadiume kombëtaret e tyre në Kampionatin Evropian. Mirëpo gjithsesi numri i tyre nëpër stadiume ende është i kufizuar.
Në pjesë tjera të botës së zhvilluar është tregim zhgënjimi.
Edhe
Vaksina kundër COVID-19 mund të ulë numrin e vdekjeve nga problemet e zemrës
Në Amerikën Latine vetëm një në dhjetë persona është vaksinuar plotësisht. Kjo ka ndihmuar në ngritjen e rasteve në shtetet si Kolumbia, Brazili, Bolivia dhe Uruguai. Ndërkohë virusi është futur thellë në zonat e largëta të Afrikës. Kjo ka kontribuar në ngritjen e madhe të rasteve.
Rasti i gazetarit
Peruja ka qenë një prej shteteve më të goditura nga virusi. Ka mesataren më të lartë të vdekjeve në botë për nga përqindja e popullsisë.
Në Arequipa vetëvrasja e Vilcas u bë lajm i ballinave në qytetin me 1 milion banorë. E veja thotë se vdekja e tij ishte protestë ndaj kushteve të rënda me të cilat po përballen të infektuarit me COVID-19.
Peruja si shtet ka 2 mijë e 678 shtretër në intensivë për popullsinë prej 32 milionësh – numër i tmerrshëm edhe për nga standardet më të ulëta të Amerikës Latine. Vilcas nuk kishte në mesin e 14 për qind të peruanëve fatlumë që morën së paku një dozë të vaksinës.
Nëpër krejt vendin ka shpërthyer një rutinë e re: Ajo e njerëzve që ditët i kalojnë duke mbushur bombolat me oksigjen, të cilat i kanë blerë për më të dashurit e vet. Disa biznese kanë trefishuar çmimin e oksigjenit, duke detyruar njerëzit që të shpenzojnë krejt kursimet ose të shesin gjësendet më të vlefshme.
Nga spitali në të cilin Vilca shoi jetën e vet “do të më telefononte për të më treguar se krejt pacientët ishin të braktisur. Se askush nuk po kujdesej për ta”, thotë e veja që nga telefoni tregon një fotografi që bashkëshorti ia kishte dërguar në një nga çastet e rralla fatlume kur kishte maskë oksigjeni.
Së bashku me Amerikën Jugore që ka 40 për qind të rasteve ditore, India është shfaqur si shteti me më së shumti vdekje ditore. Edhe tani ekspertët besojnë se 1 mijë vdekje nuk regjistrohen fare në Indi.
Në shtetin indian Madhya Pradesh, me 73 milionë banorë, një gazetar ka zbuluar se rritja e vdekjeve të regjistruara nga të gjitha shkaqet në muajin maj ishte pesë herë më lart se para pandemisë dhe numri zyrtar i vdekjeve u kalua për 67 herë.
Shumë skepticizëm
Shtetet e pasura, përfshirë Britaninë, SHBA-në dhe Francën kanë premtuar se do të dhurojnë 1 miliardë doza të vaksinave me qëllim që ta mbushin zbrazëtirën e pabarazisë. Mirëpo ekspertët kanë vlerësuar se duhen 11 miliardë doza për të imunizuar botën. Deri më tani janë shpërndarë 3 miliardë doza.
“Premtimi për 1 miliard doza është një pikë në oqean”, thotë Agnes Calleard, sekretare e përgjithshme e “Amnesty International”. Ajo kritikoi politikanët për masat e dobëta dhe të pamjaftueshme.
Edhe iniciativa e mbështetur nga Kombet e Bashkuara për shpërndarjen e vaksinave në shtetet e varfra, e njohur si “COVAX”, ka dështuar keq. Furnizuesi më i madh, Instituti Serum i Indisë, ndaloi eksportimin e vaksinave në muajin mars për t’u përqendruar ndaj pandemisë brenda shtetit indian.
Ndërkohë shtetet si Seychelles, Kili dhe Bahreini, që janë mbështetur në vaksinat kineze, po përballen me numër të lartë të infeksioneve, ani pse kanë nivel të lartë të vaksinimit, duke ngritur shqetësimet për efektivitetin e vaksinave.
Dora Curry, drejtoreshë për barazi shëndetësore në një qendër bamirësie në Atlanta të SHBA-së, thotë se është fort e shqetësuar se teksa fëmijët në Gjermani, Francë dhe SHBA po vaksinohen, normaliteti po arrin shumë ngadalë për njerëzit e shteteve të varfra.
Edhe
Qyteti meksikan i kthyer në zonë lufte nga përplasja mes fraksioneve brenda kartelit të drogës
“Nëse do të kishte ndonjë mënyrë për t’ia ofruar vaksinën dikujt në Ugandë, do ta bëja”, thotë Curry, që shprehet e bindur se vajza 11-vjeçare do të vaksinohet sapo të ftohet. “Kjo thjesht flet për problemet që kemi me sistemin e shpërndarjes”.
Përktheu: Gent Mehmeti