Reka Sztopa, drejtoreshë rajonale e Concern Worldwide për Afrikën Perëndimore dhe Sahelin, thotë se me qindra persona po vazhdojnë të zhvendosen në Çad nga Darfuri përditë, pasi që konflikti nuk po tregon shenja të shtensionimit apo zbutjes. Darfuri ka përjetuar disa nga mizoritë më të tmerrshme të konfliktit, tek është raportuar për varreza masive, ekzekutime dhe fshatra të djegura deri në themel. “Më shumë se 30 mijë njerëz janë regjistruar në këtë kamp kufitar, e shumë të tjerë që mbërrijnë çdo ditë”, thotë Sztopa për Al Jazeeran, duke iu referuar zonës së tranzitit të Çadit, rreth 1.5 kilometra larg kufirit Sudan-Çad
(Al Jazeera) – Mariama* ka tetë fëmijë, porse për fatin e katër prej tyre nuk di gjë. Ata i humbi teksa u mundua të shpëtonte nga dhuna në el-Geneina, kryeqyteti i Darfurit Perëndimor, në Sudan.
Gjithçka nisi kur një natë, dhjetë anëtarët e familjes së saj u zgjuan nga gjumi kur qytetit iu vu flaka dhe iu bë e qartë se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largoheshin. Ajo dhe burri i saj kapën fëmijët në gjumë dhe vendosën të iknin.
“Për një kohë të konsiderueshme ishim bashkë, por e humbëm njëri-tjetrin përgjatë rrugës shkaku i kaosit e trazirave. Mbërrita në pikën kufitare Adre, me vetëm katër nga tetë fëmijët e mi”, thotë Mariama, duke iu referuar qytetit të Çadit në kufirin me Sudanin ku, sipas grupit humanitar Concern Worldwide, më shumë se 280 mijë njerëz janë shpërngulur që nga shpërthimi i konfliktit të Sudanit rreth më se 100 ditë më parë.
“Nuk e di se çfarë ka ndodhur me katër fëmijët e mi të tjerë dhe me burrin tim”, shton 55-vjeçarja.
E Fatima* është një tjetër grua që është ndarë nga familja, pasi edhe ajo, sikurse Mariama, vendosi të ikte nga dhuna e javëve të fundit në Darfur. Megjithëse dy fëmijët e saj arritën të bashkoheshin me të në një vend tranziti për refugjatët në Çad, burri i saj u zhduk, pasi u fsheh në disa shkurre kur disa burra të armatosur u mësynë atyre.
Edhe
Abuzimi i refugjatëve në Çad nga punonjësit e organizatës “Mjekët pa Kufij”
“Isha [në vend] që atëherë dhe nuk kam asnjë lajm se çfarë ka ndodhur me burrin tim”, shpjegon ajo.
Fatima, Mariama dhe me mijëra të tjerë sikurse ato po e mbartin peshën kryesore të konfliktit të përgjakshëm midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake (RSF). Punëtorët humanitarë janë zhvendosur në kufi që kur shpërthyen luftimet më 15 prill, por megjithëkëtë edhe nga kufiri ata mundohen që t’i përgjigjen krizës heterogjene të vendit.
"Asnjë përmirësim”
Reka Sztopa, drejtoreshë rajonale e Concern Worldwide për Afrikën Perëndimore dhe Sahelin, thotë se me qindra persona po vazhdojnë të zhvendosen në Çad nga Darfuri përditë, pasi që konflikti nuk po tregon shenja të shtensionimit apo zbutjes. Darfuri ka përjetuar disa nga mizoritë më të tmerrshme të konfliktit, tek është raportuar për varreza masive, ekzekutime dhe fshatra të djegura deri në themel.
“Më shumë se 30 mijë njerëz janë regjistruar në këtë kamp kufitar e shumë të tjerë që mbërrijnë çdo ditë”, thotë Sztopa për Al Jazeeran, duke iu referuar zonës së tranzitit të Çadit, rreth 1.5 kilometra larg kufirit Sudan-Çad, ku ajo pati takuar Mariaman dhe Fatiman.
Elsadig Elnour, drejtor i Islamic Relief në Sudan, thekson se mjerimi i 100 ditëve të fundit nuk ka ndikuar aspak në ndryshimin e situatës në terren.
“Nuk shoh asnjë përmirësim në Sudan”, i tha ai Al Jazeeras.
Rreth 3.3 milionë njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për shkak të konfliktit. Disa janë shndërruar në refugjatë në vendet fqinje si Çadi dhe Egjipti e të tjerët janë zhvendosur brenda vendit, në vende relativisht të sigurta, si shteti qendror i el-Gezira-s apo qyteti bregdetar i Port Sudanit.
“Nuk ka qasje tek të gjitha OJQ-të ndërkombëtare që të arrihet te ndihma, e si pasojë nuk ka rrugë të sigurta”, thotë Elnour për situatën në kryeqytetin Khartoum, vatër e dhunës. Elnour shpjegon se zyrat e Islamic Relief u zhvendosën në el-Gezira, në jug të kryeqytetit, në fillim të konfliktit.
AKM Musha, drejtori i Concern Worldwide në Sudan, bën të ditur se mungesa e rrugëve të sigurta po ndikon në të gjithë procesin e ndihmës.
“Organizatat humanitare po përballen me barriera për të ndihmuar njerëzit në nevojë”, thotë Musha për Al Jazeeran. “Personeli humanitar ka nevojë për siguri për të punuar. Duhet të jemi në gjendje që të sjellim staf të specializuar në vend për kohë të shpejtë dhe duhet të jemi në gjendje që të transportojmë furnizimet”.
Edhe
Rrëfime tronditëse nga Sudani: dhunë seksuale dhe rrëmbime gjatë luftës
Shtetet që ua hapin kufijtë njerëzve që ikin nga kryeqyteti janë gjithnjë e më të mbingarkuar dhe kanë mungesa të ushqimit, ujit, ilaçeve dhe furnizimeve të tjera kritike, shton Elnour.
Qiratë janë rritur në këto vende, duke i detyruar disa njerëz që ta mendojnë kthimin në Khartoum, me gjithë situatën e sigurisë, shprehet ai. Islamic Relief është përgjigjur me ofrimin e parave dhe ndihmave ushqimore për familjet në shtete si el-Gezira dhe Gedarif, shpjegon punonjësi humanitar.
Organizata gjithashtu u ka ofruar fermerëve farëra për të mbjella, në mënyrë që të shtohen të korrat për të mbështetur fluksin e njerëzve që mbërrijnë në shtetet më të sigurta. Por në vendet si Darfuri, organizata ka pezulluar plotësisht operacionet pasi që dhuna e tmerrshme dhe ndërprerja e komunikimit vazhdojnë të mbërthejnë rajonin perëndimor.
S’ka siguri
As Concern Worldwide nuk ka qenë në gjendje që të operojë në Darfur.
“Aktualisht rrugët nuk janë të sigurta për të na mundësuar që të transportojmë furnizimet nga Porti Sudan në të gjithë vendin në Darfur – një udhëtim prej mbi 2.200 kilometrash”, tregon Musha.
Kjo organizatë, sikurse shumë të tjera, mund t’i mbështesë njerëzit nga Dafuri vetëm pasi të mbërrijnë në Adre, sikur në rastin e Fatimas dhe Mariamas.
“Shumë njerëz që mbërrijnë janë në gjendje të keqe, të rraskapitur, të traumatizuar dhe disa edhe të lënduar, duke përfshirë plagë nga plumbat”, thotë Audrey Hernandez, drejtoreshë e Concern Chad për Al Jazeeran. “Kanë me vete shumë pak gjëra, sepse ose janë larguar pa plan, pasi gjërat e tyre janë djegur ose vjedhur, ose ngase u është dashur të tregtojnë sendet e tyre si masë negociuse për të realizuar rrugën e tyre për në kufi”.
Në Concern Worldwide thonë se i janë përgjigjur fluksit me një klinikë mobile shëndetësore në një kamp tranzit përgjatë kufirit dhe se që nga nisja e konfliktit u kanë dhënë trajtim afro 1.200 pacientëve të prekur me sëmundjet si telashet akute me frymëmarrjen, malaria dhe diarreja. Organizata po mbështet ndërtimin e strehimeve në vendet e tranzitit dhe po ofron furnizime për ata që mbërrijnë me sende që variojnë nga dyshekët e gjumit deri te pambuku higjienik i ripërdorshëm për cikël menstrual. Por shumë organizata, përfshirë Concernin, kanë raportuar për plaçkitje në objektet e tyre gjatë muajve të fundit, tregon Musha, në atë që ka kontribuar në shterjen e furnizimeve brenda vendit.
“Nuk është ekzagjerim të thuhet se po përballemi me një katastrofë humanitare”, shton Musha. “Askush nuk e di se si do të përfundojë kjo situatë”.
Edhe
Arratisja mes bombardimesh e mjekut sudanez - kaloi mes trupash të pajetë
(*Emrat në tekst janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e personave)
Përktheu: Forca Jashari