Agjencitë amerikane të Inteligjencës thonë se mund të mos arrijnë asnjëherë të identifikojnë origjinat e virusit COVID-19.
Pavarësisht kësaj, këto agjenci kanë ardhur në përfundim se ky virus nuk është krijuar si armë biologjike.
Në një vlerësim të përditësuar rreth origjinës së koronavirusit, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare të SHBA-së (ODNI), bëri të ditur se një transmetim nga kafsha te njeriu dhe një rrjedhje laboratorike, ishin të dyja hipoteza të besueshme për mënyrën se si u përhap COVID-19.
Mirëpo, ende nuk ka informacione të nevojshme për të arritur deri te një konkluzion përfundimtar.
Gjetjet janë publikuar në një raport të deklasifikuar, që është një përditësim i një rishikimi 90 ditor që administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, ka lëshuar në gusht të këtij viti.
Edhe
Origjina e COVID-19 mund të mos zbulohet kurrë
Sipas këtij rishikimi, komuniteti i Inteligjencës mbetet i ndarë sa i përket origjinave të virusit. Katër agjenci vlerësuan me "besim të ulët" se kishte origjinën nga një kafshë e infektuar ose një virus i lidhur.
Por njëra prej agjencive tha se kishte "besim të moderuar" se infeksioni i parë njerëzor ka shumë të ngjarë të ishte rezultat i një aksidenti laboratorik, ndoshta duke përfshirë eksperimentimin ose trajtimin e kafshëve nga Instituti i Virologjisë Wuhan.
Raporti tha gjithashtu se zyrtarët kinezë nuk ishin në dijeni të ekzistencës së virusit përpara shpërthimit fillestar të COVID-19 në qytetin e Wuhan, në fund të vitit 2019. Por ai tha se Kina po vazhdonte të pengonte hetimin global dhe t'i rezistonte ndarjes së informacionit.
Autoritetet kineze i lidhën rastet e hershme të COVID-19 me një treg ushqimesh në Wuhan, duke i shtyrë shkencëtarët të teorizojnë se virusi fillimisht kaloi te njerëzit nga kafshët.
Edhe
Inteligjenca gjermane “besonte se COVID nisi në laborator”
Por në fillim të këtij viti, raportet e mediave amerikane ofruan prova në rritje se virusi mund të kishte dalë nga laboratori Wuhab, ndoshta përmes një rrjedhjeje aksidentale.
Në maj, presidenti Biden urdhëroi zyrtarët e inteligjencës të hetojnë origjinën e virusit, duke përfshirë teorinë e rrjedhjes së laboratorit, e cila është hedhur poshtë nga Kina.