Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Orban: Trump nuk do t’i japë asnjë qindarkë Ukrainës

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Orban nuk u takua me presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, i cili pritet të jetë rivali kryesor i Trumpit në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

(BBC) - Donald Trump nuk do ta financojë luftën e Ukrainës kundër pushtimit rus nëse ai zgjidhet sërish president i SHBA-së, ka thënë kryeministri hungarez, Viktor Orban.

“Ai nuk do të japë asnjë qindarkë për luftën Ukrainë-Rusi. Kjo është arsyeja pse lufta do të përfundojë”, ka theksuar kryeministri konservator pas takimit me Trumpin në Florida.

Ish-presidenti amerikan është zotuar t’i japë fund luftës “brenda 24 orëve” nëse zgjidhet sërish president i SHBA-së- por nuk ka dhënë detaje të tjera.

Orban po e mbështetë hapur aleatin e tij të kamotshëm në garën për Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.

“Është e qartë se Ukraina nuk mund të qëndrojë në këmbët e veta”, ka thënë Orban për kanalin televiziv hungarez M1 të dielën vonë. “Nëse amerikanët nuk japin para dhe armë, së bashku me evropianët, atëherë lufta ka mbaruar. Dhe nëse amerikanët nuk japin para, evropianët të vetëm nuk janë në gjendje ta financojnë këtë luftë. Dhe atëherë lufta ka mbaruar”.

Edhe Trumpi paralajmëron përjashtimin e Hungarisë nga sanksionet për naftën ruse Botë Trumpi paralajmëron përjashtimin e Hungarisë nga sanksionet për naftën ruse

Ai shtoi se Trump kishte “plane mjaft të detajuara” se si t’i jepte fund luftës Rusi-Ukrainë - mirëpo nuk dha detaje.

Trump nuk e ka komentuar publikisht intervistën televizive të Orbanit.

Në takimin e tyre të së premtes në rezidencën e Trumpit në Mar-a-Lago, ish-presidenti amerikan e vlerësoi shumë të ftuarin e tij. “Nuk ka njeri që është më i mirë, më i zgjuar ose lider më i mirë se Viktor Orban. Ai është fantastik”, ka theksuar ai.

Gjatë vizitës së tij në SHBA, Orban nuk u takua me presidentin aktual të SHBA-së, Joe Biden, i cili pritet të jetë rivali kryesor i Trumpit në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Është shumë e pazakontë që një lider vizitor i huaj të planifikojë bisedime me ish-homologët e tij pa u takuar më udhëheqjen aktuale.

Kryeministri hungarez ka tërhequr vazhdimisht kritika të forta nga liderët e tjerë të BE-së për mbajtjen e lidhjeve të ngushta me presidentin rus Vladimir Putin, që kur ai filloi një pushtim të plotë të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Ndryshe nga shumë vende të tjera perëndimore, Orban refuzon t’i dërgojë armë Ukrainës, duke deklaruar vazhdimisht se Kievi nuk është në gjendje të fitojë kundër Rusisë.

Edhe Orbani pritet ta kërkojë miratimin e SHBA-së për blerjen e naftës ruse Botë Orbani pritet ta kërkojë miratimin e SHBA-së për blerjen e naftës ruse

Udhëheqësit e BE-së janë gjithnjë e më të shqetësuar se një presidencë e dytë e Trumpit do të kishte një reduktim të ndjeshëm të ndihmës ushtarake dhe financiare të SHBA-së për Ukrainën dhe gjithashtu aleancën ushtarake të NATO-s.

Forcat ruse së fundmi kanë arritur përfitime në Ukrainën lindore, pasi Kievi po përjeton mungesa akute në municione.