Botë

Orban: Heqja dorë nga energjia ruse do e rrëzonte ekonominë hungareze

Viktor Orban

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë të premten se vendi i tij do të vazhdojë të blejë naftë dhe gaz natyror nga Rusia, pavarësisht kërkesave nga presidenti amerikan, Donald Trump, për të ndërprerë bashkëpunimin me Moskën.

“I thashë presidentit të SHBA-së se, nëse Hungaria shkëputet nga nafta dhe gazi rus, menjëherë, brenda një minute, ekonomia e Hungarisë do të bjerë me katër për qind”, ka deklaruar Orbán gjatë një interviste për televizionin shtetëror hungarez, raporton AP.

“Kjo do të ishte katastrofike, ekonomia jonë do të rrëzohej”, ka shtuar ai.

Hungaria është një nga vendet e pakta në Evropë që ende blen energji nga Rusia, që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt të vitit 2022.

Trump pati kërkuar këtë muaj që të gjitha vendet anëtare të NATO-s, përfshirë Hungarinë, të ndalojnë blerjet e naftës nga Rusia. Ai beson se lufta do të përfundojë nëse vendet ndalojnë blerjet e energjisë ruse.

Kryeministri hungarez ka deklaruar se nuk ka nevojë për debate për importet e energjisë të Hungarisë.

“Është e qartë çfarë është në interesin e Hungarisë dhe ne do të veprojmë në përputhje me këtë”, ka deklaruar ai.

Orbani ka shtuar se Hungaria është një vend sovran dhe nuk ka nevojë të pranojë argumentet apo interesat e të tjerëve.

Edhe pse Bashkimi Evropian po përpiqet t’i largojë vendet anëtare nga energjia ruse, zyrtarët hungarezë thonë se pozita gjeografike dhe mungesa e infrastrukturës e bëjnë shumë të vështirë kalimin në burime alternative nga Perëndimi.

Megjithatë, vende të tjera të rajonit, si Republika Çeke, që gjithashtu nuk ka dalje në det, kanë arritur të ndalojnë plotësisht blerjen e naftës ruse që nga fillimi i luftës.

Sllovakia, fqinji i Hungarisë, vazhdon të blejë energji nga Rusia.