Oligarkët rusë janë të mirëpritur në Turqi, por duhet të respektojnë ligjin ndërkombëtar për të bërë ndonjë biznes, ka thënë të shtunën ministri i Jashtëm turk, Mevlu Cavusoglu, raporton Reuters.
Turqia ka kritikuar pushtimin e Rusisë në Ukrainë, por kundërshton në parim sanksionet e vendosura nga aleatët e saj të NATO-s.
“Nëse oligarkët rusë ose ndonjë qytetar rus duan të vizitojnë Turqinë, sigurisht që munden. Nëse këta oligarkë mund të bëjnë ndonjë biznes në Turqi, atëherë sigurisht – nëse është e ligjshme dhe jo kundër ligjit ndërkombëtar – do ta konsideroja atë”, ka thënë Cavusoglu.
Dy superjahte të lidhura me miliarderin rus Roman Abramovich janë ankoruar në resortet turke. Qeveritë perëndimore kanë vënë në shënjestër Abramovichin dhe disa oligarkë të tjerë rusë me sanksione, ndërsa kërkojnë të izolojnë presidentin rus Vladimir Putin dhe aleatët e tij. Por jo edhe Turqia.