Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OKB: Sulmi ajror në kampin e refugjatëve në Gaza mund të përbëjë krime lufte

Zyra e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut ka thënë të mërkurën se sulmi ajror i Izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia të Gazës mund të përbëjë krime lufte, raportoi Reuters.

OKB-ja ka deklaruar se ka shqetësime serioze që sulmi ajror i Izraelit në kampin e refugjatëve Jabalia mund të konsiderohet krim lufte duke pasur parasysh numrin e madh të viktimave civile dhe shkallën e shkatërrimit.

“Duke pasur parasysh numrin e lartë të viktimave civile dhe shkallën e shkatërrimit pas sulmeve ajrore izraelite në kampin e refugjatëve Jabalia, kemi shqetësime serioze se këto janë sulme joproporcionale që mund të përbëjnë krime lufte”, ka thënë kjo zyrë e OKB-së në një postim në platformën X.

Të paktën gjashtë sulme ajrore goditën kampin e refugjatëve Jabalia në periferi të qytetit të Gazës të martën.

Më shumë se 50 njerëz u vranë dhe të paktën 150 u plagosën, ka bërë të ditur ministria palestineze e shëndetësisë.