India pritet të kapërcejë Kinën si vendi më i populluar në botë me pothuajse tre milionë njerëz më shumë nga mesi i këtij viti, ka njoftuar Organizata e Kombeve të Bashkuara, raportoi të mërkurën “The Guardian”.
Raporti i Gjendjes së Popullsisë Botërore 2023 nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) vlerëson se popullsia e Indisë do të jetë 1.4286 miliardë deri në fund të qershorit, krahasuar me 1.4257 miliardë të Kinës.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendosur në vendin e tretë në listë, me një popullsi të vlerësuar prej 340 milionë njerëz deri në fund të qershorit. Të dhënat në raport bazohen në informacionin e disponueshëm deri në shkurt.
Ekspertët e popullsisë duke përdorur të dhënat e mëparshme nga OKB-ja kanë parashikuar se popullsia e Indisë do të tejkalojë atë të Kinës në prill, por raporti i fundit i organizmit global nuk specifikoi një datë.
Edhe pse të dy vendet së bashku do të përbëjnë më shumë se një të tretën e 8.045 miliardë njerëzve që vlerësohet të jenë në botë, rritja e popullsisë në të dyja vendet ka ardhur duke u ngadalësuar.