"Jam i tmerruar nga raportet për një sulm kundër civilëve. Dënoj këtë incident të rëndë dhe të gjitha sulmet kundër civilëve në të gjithë vendin, të cilat janë të ndaluara sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare", deklaroi Martin Griffiths, nënsekretar i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinator i Ndihmës Emergjente
Kombe të Bashkuara, 27 dhjetor (AP) - Kombet e Bashkuara i kanë bërë thirrje Birmanisë që të zbardhë vrasjen e së paku 35 civilëve pas akuzave të opozitës vendase se dhuna është kryer nga ushtria birmane.
Një përfaqësues i lartë i OKB-së ka thënë se është tmerruar me masakrën e kryer kundër birmanëve të pafajshëm.
Partia në pushtet nuk i ka dënuar vrasjet në një fshat të shtetit Kajah. Mediat shtetërore kanë raportuar në fundjavë se ushtarët kanë qëlluar dhe vrarë disa “terroristë me armë”, por aktivistët e të drejtave të njeriut i kanë hedhur poshtë pretendimet, duke ofruar dëshmi se viktimat ishin civilë. OKB-ja ka kërkuar hetim të plotë të vrasjeve dhe nxjerrje të fajtorëve para drejtësisë.
Aktivistët kanë ofruar fotografi me të cilat kanë dëshmuar se viktimat ishin të paarmatosura. Ata ishin masakruar para se të hidheshin në rimorkion e një kamioni. Birmania është në kaos prej 1 shkurtit, kur junta orkestroi një grusht shtet, duke e rrëzuar kryeministren Su Ki. Qindra mijëra myslimanë rohinga janë detyruar të largohen nga vendi si pasojë e fushatave ushtarake të juntës.
Nënsekretari i përgjithshëm i OKB-së për Çështjet Humanitare dhe koordinatori i Ndihmës Emergjente, Martin Griffiths, tha se raportet për vrasjen e civilëve, duke përfshirë të paktën një fëmijë, ishin të besueshme.
"Jam i tmerruar nga raportet për një sulm kundër civilëve. Dënoj këtë incident të rëndë dhe të gjitha sulmet kundër civilëve në të gjithë vendin, të cilat janë të ndaluara sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare", tha ai në një deklaratë.
Griffiths bëri thirrje për "një hetim të plotë dhe transparent" në mënyrë që autorët të mund të sillen para drejtësisë.
Disa kundërshtarë të ushtrisë kanë rrokur armët, disa duke u lidhur me guerilët e pakicave etnike që kanë luftuar për vite me radhë me qeverinë për vetëvendosje në pjesë të ndryshme të vendit, duke përfshirë shtetin Kayah në lindje.
Të hënën tri burime në qytetin perëndimor tajlandez Mae Sot, 330 km në jug, thanë se kishte shenja të mëtejshme luftimesh në anën e kufirit të Birmanisë, duke përfshirë të shtëna me armë zjarri, shtëllunga tymi dhe një sulm ajror.
Sipas autoriteteve tajlandeze, 5.260 refugjatë janë larguar nga zona në Tajlandë që nga shpërthimi i luftimeve midis ushtrisë birmane dhe grupit kryengritës të Unionit Kombëtar Karen (KNU) më 16 dhjetor.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se Tajlanda po punonte me Komisionarin e Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), në rast se "autoritetet tajlandeze nuk janë në gjendje të menaxhojnë situatën", pas thirrjeve nga organizatat e ndihmës për Bangkok për të bërë më shumë për të ndihmuar.
Qëkur ushtria e Birmanisë nisi grushtin e shtetit, më shumë se 1.300 njerëz janë vrarë në shtypjen e protestave dhe më shumë se 11.000 janë burgosur, sipas një raporti nga grupi i të drejtave të Shoqatës për Ndihmën e të Burgosurve Politikë.
Ushtria kundërshton numrin e të vdekurve të grupit.