Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OKB-ja akuzon forcat izraelite për bllokimin e autokolonës së evakuimit

Zyra humanitare e Kombeve të Bashkuara (OCHA) ka thënë të martën se ushtria izraelite ka bllokuar një autokolonë evakuimi mjekësor në qytetin Khan Younis në jug të Gazës, duke ndaluar një ndihmësmjek dhe duke detyruar të tjerët të heqin rrobat, raporton agjencia “Reuters”.

Incidenti ndodhi të dielën gjatë evakuimit të 24 pacientëve nga spitali Al-Amal, është njoftuar. Ushtria izraelite s’ka komentuar rastin, duke thënë se po i shikon detajet e incidentit. Kompleksi i spitalit ka qenë i rrethuar gjatë ofensivës së ushtrisë izraelite kundër Hamasit në Gaza, kanë thënë agjencitë e ndihmës dhe zyrtarët palestinezë.

“Pavarësisht koordinimit paraprak për të gjithë anëtarët e stafit dhe automjetet, forcat izraelite bllokuan autokolonën e drejtuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për orë të tëra nga momenti që doli nga spitali”, ka thënë Jens Laerke, zëdhënës i OCHA-së. “Forcat izraelite kanë detyruar pacientët dhe stafin të dalin nga ambulancat dhe i zhveshën ndihmësmjekët. Tre ndihmësmjekët palestinezë të Gjysmëhënës së Kuqe u ndaluan, edhe pse të dhënat e tyre personale ishin ndarë me forcat izraelite paraprakisht”.

Ai ka thënë se një ndihmësmjek u lëshua më vonë dhe kërkoi lirimin e dy ndihmësmjekëve të tjerë dhe të gjithë personelit mjekësor të ndaluar.

Izraeli ka thënë më herët se ka ndërmarrë hapa për të zvogëluar viktimat civile dhe ka akuzuar luftëtarët e Hamasit se janë fshehur mes civilëve, duke përfshirë spitalet. Grupi militant e ka mohuar këtë.

Laerke ka thënë se incidenti i së dielës nuk ishte i izoluar, me autokolona të sulmuara, punonjës humanitarë të ngacmuar, të frikësuar dhe të ndaluar dhe infrastrukturë humanitare të dëmtuar. Izraeli ka mohuar bllokimin e hyrjes së ndihmave.