Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

OBSH-ja thotë se “është pak herët” të shpallet emergjencë globale për koronavirusin

Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) tha të enjten se “është pak herët” të shpallet koronavirusi i ri si emergjencë globale shëndetësore teksa Kina ka futur në karantinë miliona njerëz si pasojë e përhapjes së virusit që vrau 18 persona dhe infektoi mbi 630 të tjerë.

Zyrtarë shëndetësorë frikësohen se shkalla e përhapjes mund të përshpejtohet kur qindra miliona kinezë udhëtojnë brenda vendit apo edhe jashtë gjatë pushimeve për Vitin e Ri Hënor, i cili nis të shtunën, raporton Reuters.

“Është paksa herët të themi se kjo është një emergjencë e shëndetit publik e shqetësimit ndërkombëtar”, ka thënë shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus në Gjenevë, duke shtuar se Komiteti i Emergjencave i organizatës, i përbërë nga 16 ekspertë të pavarur, ka qenë i ndarë në përfundimin e tyre, transmeton Koha.net.

“Por, të mos gabohemi, sepse në Kinë ka emergjencë. Por, s’është bërë ende emergjencë globale shëndetësore. E megjithatë, mund të bëhet”.

Ai tha se Kina ka ndërmarrë masa të cilat OBSH-ja beson se janë të duhura.

“Shpresojmë se do të jenë edhe të efektshme dhe me afat të shkurtër… për momentin, OBSH-ja nuk rekomandon ndonjë restriksion më të gjerë në udhëtime apo tregti”.

Peter Piot, profesor i Shëndetit Global dhe Drejtor i Shkollën Londineze të Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale, tha se përhapja e virusit është në një fazë kritike.

Edhe OBSH-ja e shpallë Koronavirusin, emergjencë globale Arbëri OBSH-ja e shpallë Koronavirusin, emergjencë globale

“Pavarësisht vendimit për të mos e shpallur këtë gjendje Emergjencë të Shëndetit Publik me Shqetësim Ndërkombëtar, bashkëpunimet e intensifikuara ndërkombëtare dhe burimet tjera do të jenë qenësore për të ndalur këtë përhapje. Autoritetet kombëtare dhe OBSH-ja do të duhet të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet nga afërsia”.

Duke dhënë detaje për infeksionet në Kinë, televizioni shtetëror kinez tha se janë konfirmuar 634 raste. Deri në fund të së mërkurës. Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës konfirmoi 17 të vdekur në provincën qendrore të Hubeit.

Virusi, që më parë ishte i panjohur, besohet të jetë shfaqur vitin e kaluar nga tregtia ilegale e kafshëve të egra në një treg kafshësh në kryeqytetin e provincës Hubei, Wuhan.