Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë kërkesë zyrtare te Kina për informata shtesë në lidhje me përhapjen potencialisht shqetësuese të sëmundjeve respiratorë dhe rasteve të pneumonisë te fëmijët, raporton agjencia “AP”.
Agjencia e shëndetësisë e OKB-së ka cituar raporte të paspecifikuar të mediave dhe po ashtu të shërbimeve të monitorimeve, ku janë raportuar rritje të rasteve me pneumoni te fëmijët në veri të Kinës. OBSH-ja, në një deklaratë të mërkurën vonë, tha se është e paqartë nëse ato janë të lidhura me rritjen e infeksioneve të rrugëve të frymëmarrjes që janë raportuar nga autoritetet kineze.
Shkencëtarët kanë thënë se situata kërkon një monitorim, por nuk është e bindur nëse rritja e fundit e sëmundjeve respiratore në Kinë po sinjalizon fillimin e një shpërthimi të ri në nivel global.
OBSH-ja ka treguar se autoritetet në Komisionin Shëndetësor të Kinës më 13 nëntor kanë raportuar rritje të sëmundjeve respiratore, që thanë se janë kryesisht për shkak të heqjes së kufizimeve që ishin vendosur për të parandaluar përhapjen e COVID-19. Shtetet tjera po ashtu kanë parë rritje të rasteve me sëmundje respiratore, pasi u hoqën kufizimet.
OBSH-ja citoi edhe raportimet në media një javë më vonë për raste me pneumoni te fëmijët në veri të Kinës.
Edhe
A ka vend për shqetësim pas rritjes së rasteve me virusin HMPV në Kinë?
Është thënë se nuk dihet nëse këto dyja ndërlidhen.
Francois Balloux nga Universiteti i Kolegjit të Londrës ka thënë se vala e aktuale e sëmundjeve në Kinë me gjasë është për shkak të sëmundjeve respiratore si gripi, RSV apo infeksionet bakteriale.
Ka thënë se Kina mund të jetë duke përjetuar një valë të madhe të rritjeve të infeksioneve te fëmijët, pasi është dimri i parë që kur u hoqën kufizimet. Kufizimet ka thënë se kanë reduktuar imunitetin te fëmijët ndaj viruseve e baktereve të zakonshme.
OBSH-ja ka treguar se në veri të Kinës ka pasur rritje të rasteve që ngjasojnë me grip sezonal që nga mesi i tetorit.
Por, nuk është vetëm në Kinë që ka raportim të rritjes së rasteve me pneumoni.
Rritje të dukshme të rasteve janë raportuar edhe në Zvicër, siç është thënë në një studim.
“Aktualisht ka rritje të konsiderueshme edhe në Zvicër”, ka thënë udhëheqësi i studimit Patrick Meyer Sauteuur nga Spitali i Fëmijëve të Cyrihut, kur është pyetur nga agjencia “SDA”.
Thuhet në studim, se mykoplazmat që shkaktojnë pneumoni janë rikthyer pas tri vjetëve mungesë.
Edhe
OBSH-ja i kërkon Kinës t’i ndajë të dhënat për COVID-in
Studimi ndërkombëtar i udhëhequr nga Zvicra është publikuar të enjten në revistën “The Lancet Microbe”.
Meyer Sauteur ka thënë se infeksionet e mykoplazmës tash kanë arritur dhe tejkaluar nivelet që ishin para pandemisë.