Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Numri i të vdekurve nga koronavirusi shkon mbi 2.600

Koronavirusi po vazhdon të përhapet nëpër botë, e me këtë edhe të rritet numri i të vdekurve. Sipas të dhënave të fundit, janë shënuar 2609 vdekje si pasojë e virusit dhe 79.356 të infektuar.

Në Kinë, që është vatra e këtij virusi, kanë ndërruar jetë 2.582 persona, ka bërë të ditur Komisioni Kombëtar i Shëndetit të këtij vendi. Po sipas kësaj agjencie, përcjell KP, vetëm në ditët e fundit kanë ndërruar jetë 150 persona.

Shumica e vdekjeve kanë ndodhur në provincën Hubei, ku është edhe epiqendra e këtij virusi.

Pos Kinës, koronavirusi më së shumti jetë ka marrë në Iran, ku raportohet për tetë persona, pason Koreja e Jugut me shtatë, ndërsa Japonia me katër.

Italia, që së fundi është kthyer në epiqendër sa u përket shteteve të Evropës, ka regjistruar tre persona të vdekur si pasojë e koronavirusit.

Në Hong-Kong kanë humbur jetën dy persona, kurse në shtetet si Filipinet, Tajvani dhe Franca janë regjistruar nga një vdekje si pasojë e këtij virusi.