Mbështetja për kauzën palestineze ka ardhur tradicionalisht nga e majta libaneze, e cila luftoi përkrah grupeve palestineze gjatë luftës civile në Liban. Sot grupe si Hezbollahu dhe aleatët e tyre, Lëvizja Amal, Partia Social-Nacionaliste Siriane dhe Partia Komuniste Libaneze mbështesin kauzën palestineze në retorikë, por kanë bërë pak sa u përket ligjeve për të ndihmuar refugjatët që jetojnë në situatë të vështirë në Liban
Tubime propalestineze janë mbajtur pranë ambasadave të SHBA-së dhe Gjermanisë në Liban për të shprehur zemërimin për “krimet e luftës” të Izraelit në Gaza.
Protestuesit, duke valëvitur flamujt e palestinezë dhe libanezë, hodhën gurë, shishe uji dhe fishekzjarrë në barrikadën e sigurisë, të ndërtuar në rrugën që çon në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në periferi të Bejrutit.
Forcat e sigurisë u përgjigjën me gaz lotsjellës që i shtyu protestuesit prapa.
Duke parë protestën nga periferia, një palestinez 20-vjeçar nga Nahr el-Bared, një kamp refugjatësh pranë qytetit të Tripolit në veri të Libanit, fërkoi sytë. Sapo ishte kthyer nga protesta.
“Doja të hyja brenda dhe ‘kharreb el-dineh’”, ka theksuar ai, duke përdorur shprehjen që do të thotë “të shkaktoj kërdi”.
“Unë erdha për të protestuar këtu, sepse Amerika po e mbështet Izraelin”, u shpreh 20-vjeçari.
Teknikisht në luftë, Libani dhe Izraeli nuk kanë marrëdhënie diplomatike. Mijëra protestues u mblodhën pranë Ambasadës amerikane të mërkurën, duke bërë thirrje për t’iu dhënë fund armiqësive, derisa një pushtim i mundshëm tokësor izraelit po afrohet mbi Gaza.
Protestuesit valëvitën edhe flamurin e Hezbollahut, grup që ka bërë thirrje për “një ditë zemërimi të pashembullt” përpara demonstratës.
Protestuesit udhëtuan me autobus, makina e motorë dhe ishin nga i gjithë Libani për të shprehur zemërimin e tyre ndaj asaj që ata e konsiderojnë mbështetjen e palëkundur të Uashingtonit për Izraelin dhe krimet e tij të luftës në Gaza.
SHBA-ja dërgon 3.8 miliardë dollarë ndihmë ushtarake vjetore për Izraelin dhe ka mbështetur historikisht aleatin e tyre në Lindjen e Mesme, pavarësisht se cila parti politike është në Shtëpinë e Bardhë.
Indinjata ishte e dukshme mes protestuesve të mërkurën, një ditë pas një shpërthimi në Spitalin “Al-Ahli” në Gaza, që la të vdekur rreth 500 njerëz.
Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka theksuar se sulmi është “kryer nga pala tjetër”, në një takim ballë për ballë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu gjersa ishte në një udhëtim në Izrael.
Më shumë se 3300, një e treta e tyre fëmijë, kanë vdekur nga bombardimet izraelite që nga 7 tetori, kur një sulm i Hamasit në Izraelin jugor la të vdekur rreth 1.400 njerëz.
Por shumë protestues thanë se zemërimi i tyre nuk ishte vetëm për sulmin në spitalin “Al-Ahli”.
“Ne jemi këtu për sulmin e djeshëm, por edhe për të kaluarën”, ka thënë Ahmad, 43 vjeç, nga kampi palestinez i refugjatëve Burj el-Barajneh, për Al Jazeeran.
“Vriteni Hamasin, por mos i vritni civilët”, u shpreh Ahmad, i ulur në skuterin e tij të dekoruar me flamurin palestinez bashkë me dy djemtë e tij.
“Nëse ndonjë i huaj godet një qen, rasti shkon në gjykatën ndërkombëtare, por kur izraelitët sulmojnë palestinezët, asgjë nuk ndodh”.
“Kudo që të protestohet kundër Amerikës, unë do të jem aty”
Ndjenja e poshtërimit të protestuesve vjen pasi palestinezët ndiejnë se komuniteti ndërkombëtar ka injoruar vuajtjet e tyre, ndërsa zyrtarët e qeverisë izraelite kanë përdorur gjuhë çnjerëzore, duke e quajtur popullin palestinez “kafshë njerëzore” dhe “fëmijë të territ”.
Teksa Ahmad fliste, protestuesit të veshur me “keffiyeh”, veshje tradicionale palestineze, u ulën në majë të barrikadës së ndërtuar për t’i penguar demonstruesit të afroheshin pranë Ambasadës së SHBA-së.
Disa hodhën gurë ose shishe uji mbi gardh ndaj forcave libaneze të sigurisë, të cilat nga ana e tyre u përgjigjën me topa uji dhe valë gazi lotsjellës.
Sipas UNICEF-it, në Liban janë rreth 210 mijë refugjatë palestinezë. Shumica jetojnë mes kampeve të vogla të refugjatëve, sepse atyre u ndalohet të zotërojnë prona dhe u ndalohet të vazhdojnë arsimin formal ose të mbajnë punë në Liban.
Mbështetja për kauzën palestineze ka ardhur tradicionalisht nga e majta libaneze, e cila luftoi përkrah grupeve palestineze gjatë luftës civile në Liban. Sot, grupe si Hezbollahu dhe aleatët e tyre, Lëvizja Amal, Partia Social-Nacionaliste Siriane dhe Partia Komuniste Libaneze mbështesin kauzën palestineze në retorikë, por kanë bërë pak sa u përket ligjeve për të ndihmuar refugjatët që jetojnë në situatë të vështira në Liban.
Flamujt e këtyre partive politike libaneze u valëvitën pranë flamurit palestinez në protestën ku disa nga të pranishmit nuk ishin as palestinezë dhe as që mbështesnin publikisht ndonjë parti.
“Unë jam maronit libanez dhe ata bombarduan një spital të krishterë”, ka thënë një burrë 40-vjeçar që e identifikoi veten si Abou Elias el-Hajj.
“Kudo që ata të protestojnë për Amerikën, unë do të jem aty”, ka thënë ai.
Pranë tij qëndronte 35-vjeçari, Elias Sebali.
“Ajo që ndodhi dje mund të ndodhë nesër kundër të krishterëve në Liban”, u shpreh ai.
Këta dy burra ishin banorë të zonës, por jo të gjithë banorët e afërt ishin në mbështetje të protestës.
Eliane, 33 vjeçe, mbylli minimarketin e saj poshtë rrugës ku ishte vendosur barrikada të mërkurën. Teksa po niste protesta, ajo u ul në trotuarin përpara dyqanit të saj.
“Nëse ata duan të luftojnë, ne jemi me ta, por kjo nuk është koha apo vendi i duhur”, ka thënë ajo, duke shtuar se disa protestues kishin shkaktuar dëme pronësore dhe kishin frikësuar punonjësit e bizneseve lokale gjatë një proteste një natë më parë.
“Ata kanë një kauzë, por kjo nuk është një mënyrë e zgjuar për të vepruar”, ka shtuar ajo.
“Para se të jetonin, ata vdiqën”
Protestat u zhvilluan edhe në pjesë të tjera të Libanit të mërkurën, duke përfshirë atë pranë Ambasadës gjermane dhe në periferinë jugore të Bejrutit, Haret Hreik. Në rrugën që të çon në Ambasadën gjermane në Dekwaneh, në veri të Bejrutit, disa dhjetëra njerëz u mblodhën në fillim të demonstratës.
Ndryshe nga ajo para Ambasadës amerikane, nuk kishte flamuj partish. Disa thanë se erdhën sepse nuk donin të merrnin pjesë në një protestë me Hezbollahun dhe aleatët e tyre libanezë, por megjithatë donin të shprehnin kundërshtimin e tyre ndaj vrasjes së civilëve palestinezë nga Izraeli.
“Nuk bëhet fjalë për ambasadën gjermane në vetvete”, ka thënë Mohammad, 52 vjeç, nga Bejruti. “Ka të bëjë me qëndrimin për atë që është e drejtë. Kur vriten gratë shtatzëna dhe fëmijët, nuk mund të heshtësh më”.
Protestues të tjerë thanë se mbështetja e palëkundur e Ambasadës gjermane për Izraelin tërhoqi vëmendjen e tyre, me një thirrje të drejtuar nga protestuesit duke e quajtur atë “ambasada sioniste”.
Shumë të pranishëm bënë thirrje për t’i dhënë fund okupimit të territoreve palestineze nga Izraeli dhe asaj që grupet ndërkombëtare të të drejtave, si Amnesty International e quajnë aparteid ndaj palestinezëve. Thirrja më e shpeshtë nga protestuesit, megjithatë, ishte për të ndaluar vrasjet në Gaza.
“Familja ime është gjallë për momentin, kjo është gjithçka që mund të them”, ka theksuar Zainab, 26 vjeçe, e cila është nga Gaza dhe studion për të drejtat e njeriut dhe demokracinë në Universitetin Saint Joseph në Bejrut.
Një refren i zakonshëm mes protestuesve ishte se sa të pafuqishëm ndiheshin.
Gjersa demonstruesit nxorën zemërimin e tyre në barrikadën që bllokonte rrugën për në ambasadën e SHBA-së, një njësi oficerësh policie libaneze qëndroi aty pranë në rast se do të duhej të ndërhynte.
Ajo që po ndodh është normale, ka thënë një polic për “Al Jazeeran”, duke qëndruar pranë vendit ku turma po sulmonte barrikadën. Protestuesit po kërkonin një mënyrë për t’u shfryrë nga pafuqia dhe zhgënjimi i tyre.
“Nuk mund të bëj asgjë”, ka thënë NajIa el-Hassan, 38 vjeçe, duke shtuar se si nënë, duke parë vdekjen e fëmijëve në televizor e kishte shtyrë të merrte pjesë në protestë.
“Para se të jetonin, ata vdiqën”, ka theksuar ajo.
Përktheu: Blerta Haxhiu