Në Nigeri, lindja e një fëmije shpesh shndërrohet në një rrezik për jetën e nënës. Me një grua që vdes çdo shtatë minuta nga komplikimet e lindjes, vendi mban një nga normat më të larta të vdekshmërisë së nënave në botë. Në vitin 2023, Nigeria përbënte më shumë se një të katërtën - 29% - të të gjitha vdekjeve të nënave në mbarë botën
Në moshën 24 vjeçe, Nafisa Salahu rrezikonte të bëhej thjesht një tjetër statistikë në Nigeri, ku mesatarisht një grua vdes gjatë lindjes çdo shtatë minuta.
Ishte e mundur që, pavarësisht se ishte në spital, të mos kishte ndihmë nga ekspertët kur shfaqej një ndërlikim.
Koka e foshnjës së saj ishte bllokuar dhe asaj iu tha vetëm të qëndronte e palëvizshme gjatë lindjes, e cila zgjati tri ditë.
Më në fund iu rekomandua një prerje cezariane dhe u gjet një mjek i cili ishte i përgatitur ta kryente atë.
“E falënderova Zotin sepse pothuajse vdiqa. Nuk kisha më forcë, nuk kisha asgjë”, i thotë Salahu nga shteti Kano në veri të vendit, ekipit të BBC-së.
Ajo mbijetoi, por tragjikisht foshnja e saj vdiq.
Përgjatë njëmbëdhjetë vjetëve, Salahu është kthyer disa herë në spital për të lindur, por tani, është shumë më e përgatitur.
“E dija çdo herë se isha midis jetës dhe vdekjes, por nuk kisha më frikë”, thotë ajo.
Përvojë e zakonshme
Përvoja e Salahut nuk është e pazakontë.
Nigeria është vendi më i rrezikshëm në botë për të lindur.
Sipas vlerësimeve më të fundit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për vendin, të përpiluara nga shifrat e vitit 2023, një në 100 gra vdes gjatë lindjes ose në ditët në vijim.
Kjo e vendos atë në krye të një liste që asnjë vend nuk dëshiron ta kryesojë.
Në vitin 2023, Nigeria përbënte më shumë se një të katërtën - 29% - të të gjitha vdekjeve të nënave në mbarë botën.
Ky është një total i vlerësuar prej 75.000 grash që vdesin gjatë lindjes në një vit, që i bie të jetë një vdekje çdo shtatë minuta.
Frustrimi për shumë njerëz është se një numër i madh i vdekjeve - nga gjëra të tilla si gjakderdhja pas lindjes, e njohur si hemorragji pas lindjes - janë të parandalueshme.
Chinenye Nweze ishte 36 vjeçe kur vdiq nga gjakderdhja në një spital në qytetin juglindor të Onitshas pesë vjet më parë.
“Mjekët kishin nevojë për gjak”, kujton vëllai i saj Henry Edeh. “Gjaku që kishin nuk ishte i mjaftueshëm dhe ata vraponin andej-këndej. Humbja e motrës dhe shoqes sime nuk është diçka që do t’ia dëshiroja qoftë edhe një armiku. Dhimbja është e padurueshme”.
Ndër shkaqet e tjera të zakonshme të vdekjeve të nënave janë lindja e vështirë, presioni i lartë i gjakut dhe abortet e pasigurta.
Shkalla “shumë e lartë” e vdekshmërisë së nënave në Nigeri është rezultat i një kombinimi të një numri faktorësh, sipas Martin Dohlsten nga zyra e organizatës së fëmijëve të OKB-së, UNICEF, në Nigeri.
Përpos këtyre, thotë ai, rol luan edhe infrastruktura e dobët shëndetësore, mungesa e mjekëve, trajtimet e kushtueshme që shumë nuk mund t’i përballojnë, praktikat kulturore që mund të çojnë në mosbesim ndaj profesionistëve mjekësorë dhe pasiguri.
“Asnjë grua nuk e meriton të vdesë gjatë lindjes së një fëmije”, thotë Mabel Onwuemena, koordinatore kombëtare e Fondacionit të Zhvillimit të Grave.
Ajo shpjegon se disa gra, veçanërisht në zonat rurale, besojnë “se vizita në spitale është një humbje totale kohe” dhe zgjedhin “mjete tradicionale në vend që të kërkojnë ndihmë mjekësore, të cilat mund të vonojnë kujdesin jetëshpëtues”.
Për disa, arritja në një spital ose klinikë është pothuajse e pamundur për shkak të mungesës së transportit, por Onwuemena beson se edhe nëse do të arrinin, problemet e tyre nuk do të kishin mbaruar.
“Shumë institucione shëndetësore nuk i kanë pajisjet bazë, furnizimet dhe personelin e trajnuar, duke e bërë të vështirë ofrimin e një shërbimi cilësor”.
Qeveria federale e Nigerisë aktualisht shpenzon vetëm 5% të buxhetit të saj për shëndetësinë - shumë më pak se objektivi prej 15% që vendi u zotua në një traktat të Bashkimit Afrikan të vitit 2001.

Mungesë stafi
Në vitin 2021, kishte 121.000 mami për një popullsi prej 218 milionë banorësh dhe më pak se gjysma e të gjitha lindjeve u mbikëqyrën nga një punonjës shëndetësor i kualifikuar. Vlerësohet se vendi ka nevojë për 700.000 infermierë dhe mami më shumë për të përmbushur raportin e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Ekziston gjithashtu një mungesë e madhe mjekësh.
Mungesa e stafit dhe e ambienteve i dekurajon disa banorë të kërkojnë ndihmë profesionale.
“Sinqerisht, nuk u besoj shumë spitaleve, ka shumë histori neglizhence, veçanërisht në spitalet publike”, thotë Jamila Ishaq.
“Për shembull, kur po lindja fëmijën tim të katërt, pata ndërlikime gjatë lindjes. Asistentja lokale e lindjes na këshilloi të shkonim në spital, por kur mbërritëm atje, asnjë punonjës shëndetësor nuk ishte i disponueshëm për të më ndihmuar. Më duhej të kthehesha në shtëpi dhe aty linda përfundimisht”, rrëfen ajo.
28-vjeçarja nga shteti Kano tani pret fëmijën e saj të pestë.
Ajo shton se do të merrte në konsideratë të shkonte në një klinikë private, por kostoja është e lartë.
Chinwendu Obiejesi, e cila pret fëmijën e saj të tretë, është në gjendje të paguajë për kujdes shëndetësor privat në një spital dhe “nuk do ta merrte në konsideratë të lindte diku tjetër”.
Ajo thotë se midis miqve dhe familjes së saj, vdekjet e nënave tani janë të rralla, ndërsa më parë dëgjonte për to mjaft shpesh.
Obiejesi jeton në një lagje periferike të pasur të Abujës, ku spitalet janë më qasshme dhe me lehtë të arritshme, rrugët janë më të mira dhe shërbimet e urgjencës funksionojnë. Më shumë gra në qytet janë gjithashtu të arsimuara dhe e dinë rëndësinë e shkuarjes në spital.
“Unë gjithmonë kujdesem para lindjes...flas rregullisht me mjekët, bëj analiza dhe skanime të rëndësishme dhe përcjelli vazhdimisht si shëndetin tim ashtu edhe të foshnjës”, i thotë Obiejesi BBC-së.
“Për shembull, gjatë shtatzënisë sime të dytë, ata prisnin që unë të kisha shumë gjakderdhje, kështu që përgatitën gjak shtesë në rast se nevojitej një transfuzion. Për fat të mirë, nuk kisha nevojë për të dhe gjithçka shkoi mirë”.
Megjithatë, një mikeshë e familjes së saj nuk ishte aq me fat.
Gjatë lindjes së dytë, “asistentja e lindjes u përpoq ta nxirrte me forcë foshnjën pasi nuk mundi ndryshe. Foshnja vdiq. Kur u dërgua me urgjencë në spital, ishte tepër vonë. Mikesha u detyrua prapë t’i nënshtrohej një operacioni për ta lindur trupin e foshnjës. Ishte situatë e vështirë”.
Iniciativa “Mamii”
Nana Sandah-Abubakar, drejtoreshë e shërbimeve shëndetësore për komunitetin në Agjencinë Kombëtare të Zhvillimit të Kujdesit Shëndetësor Parësor (NPHCDA) të vendit, pranon se situata është e tmerrshme, por thotë se një plan i ri po vihet në vend për të adresuar disa nga problemet.
Nëntorin e kaluar, qeveria nigeriane nisi fazën pilot të Iniciativës së Inovacionit për Reduktimin e Vdekshmërisë së Nënave (Mamii). Përfundimisht kjo iniciativë do të synojë 172 zona të qeverisjes vendore në 33 shtete, të cilat përbëjnë më shumë se gjysmën e të gjitha vdekjeve të lidhura me lindjen e fëmijës në vend.
“Ne identifikojmë çdo grua shtatzënë, informohemi se ku jeton dhe e mbështesim atë gjatë shtatzënisë, lindjes dhe më tej”, thotë Sandah-Abubakar.

Deri më tani, 400.000 gra shtatzëna në gjashtë shtete janë identifikuar në një anketë shtëpi më shtëpi. Për secilën do të mësohet nëse po ndjekin udhëzime a kurse para lindjes”.
“Plani është të fillojmë t’i lidhim ato me shërbimet tona për të siguruar që ato të marrin kujdesin që u nevojitet dhe që të lindin në mënyrë të sigurt”.
Mamii do të synojë të bashkëpunojë me rrjetet lokale të transportit për të sjellë më shumë gra në klinika dhe gjithashtu për të inkurajuar njerëzit të regjistrohen në sigurim shëndetësor publik me kosto të ulët.
Është shumë herët për të thënë nëse kjo ka pasur ndonjë ndikim, por autoritetet shpresojnë që vendi përfundimisht të ndjekë trendin e pjesës tjetër të botës.
Në nivel global, vdekjet e nënave kanë rënë me 40% që nga viti 2000, falë qasjes së zgjeruar në kujdesin shëndetësor. Shifrat janë përmirësuar gjithashtu në Nigeri gjatë së njëjtës periudhë - por vetëm me 13%.
Pavarësisht se Mamii dhe programe të tjera janë iniciativa të mirëpritura, disa ekspertë besojnë se duhet bërë më shumë - duke përfshirë investime më të mëdha.
“Suksesi i tyre varet nga financimi i qëndrueshëm, zbatimi efektiv dhe monitorimi i vazhdueshëm për të siguruar që rezultatet e synuara të arrihen”, thotë Dohlsten i UNICEF-it.
Ndërkohë, humbja e secilës nënë në Nigeri - 200 çdo ditë - do të vazhdojë të jetë një tragjedi për familjet e përfshira.
Për Edehun, hidhërimi për humbjen e motrës së tij është ende i madh.
“Ajo u bë shtylla jonë, sepse i humbëm prindërit tanë kur ishim duke u rritur”, thotë ai.
“Në vetminë time, kur ajo më bie ndërmend, qaj me dënesë”.